Shullazi, kallëzim te Krimet e Rënda. Prokuroria, mbrojtje shtesë për Bashën

09/01/2015 00:00

Atëherë kur vëmendja e prokurorëve të Tiranës është në pritje të ekspertizave, qoftë për krimin në rrugën e Kavajës, ku u vra një 42-vjeçar, qoftë edhe për ngjarjen e Kasharit, ku mbeti i plagosur Emiljano Shullazi, emri i këtij të fundit duket se është bërë shkak i një takimi kokë më kokë mes kryepolicit të kryeqytetit, Ardian Çipa, dhe prokurorit të përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Në fakt, ky takim u konfirmua në telefon për Top Channel edhe nga këshilltari i prokurorit të përgjithshëm, Albi Serani, por zëri i akuzës qendrore në vend nuk hodhi dritë mbi fokusin e këtij takimi.

Por, takimi Çipa-Llalla ndodh në të njëjtën ditë, kur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është depozituar një kallëzim penal nga deputetja demokrate Voltana Ademi, e cila ka denoncuar kërcënimin e pretenduar nga Partia Demokratike të Emiljano Shullazit për liderin e opozitës Lulzim Basha.

Menjëherë mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar procedimin penal në referim të nenit 109, fraksion b, që në Kodin Penal bën fjalë për shtrëngim me anë të kanosjes apo dhunës për të kryer, apo mos kryer, një veprim të caktuar.

Fillimisht, prokurorët do të vlerësojnë kallëzimin, përpara se të ndërmarrin veprime të tjera për këtë çështje. Por, nga ana tjetër, Prokuroria i ka dërguar një shkresë urgjente Ministrisë së Brendshme, për të vlerësuar nëse duhet t’i vendoset mbrojtje deputetes demokrate.

Top Channel