Hollande: Nuk do të gjunjëzohemi. Obama: Jemi në krahun tuaj

09/01/2015 00:00

Pasi mori fund operacioni kundër terrorizmit në Francë , Presidenti i vendit François Hollande, mbajti një konferencë për shtyp . Kryefjalë e deklaratës së tij, ishte thirrja për vigjilencë dhe unitet.

“Franca nuk do të gjunjëzohet nga sulmet, por do të mbrojë vlerat  e saj për liri. Ne bashkohemi me dhimbjen e familjeve që humbën njerëzit e tyre, kjo ishte tragjike jo vetëm për ta, por për të gjithë ne. Por, ndërkohë dua të përgëzoj dhe falenderoj policinë për guximin, trimërinë dhe efikasitetin e treguar. Pas gjithë këtij sulmi, dua të them se jemi kundra çdo racizmit dhe antisemitizmit. Ata  fanatikë nuk kanë të bëjnë aspak me fenë myslimane”, tha Hollade.

Në fund të fjalës së tij François Hollande falenderoi të gjithë vendet dhe liderët boterorë për solidaritetin e treguar, duke shtuar se: Ditën e diel presim mijëra vetë të bashkohen në një tubim paqësor për të demonstruar parimet, të cilat ne i konsiderojmë si të shtrenjta.

Gjithashtu dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara mbajti një fjalim nga Tennesse për situatën e rënduar në Francë.

“Që në momentin e parë të sulmit në Francë, ne i ofruam ndihmën tonë vendit dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm  për çfarëdolloj suporti që aleatit tone i nevojitet. Falë profesionalizmit të forcave speciale, rreziku i momentit për Francën duket se është venitur, por kërcënimi i terrorizmit nuk është zhdukur. Duhet të jemi vigjilentë të gjithë. Franca është aleati ynë më i vjetër, dua që populli francez ta dijë që SHBA janë me ju sot , dhe do të jenë me ju nesër. Lutjet tona shkojnë për të gjitha ato familje që janë prekur nga tragjedia. Ne jemi me ju. Me Francën ndajmë të njëjtën vlerë universale, atë të lirisë”, u shpreh Barack Obama.

Top Channel