Bode: Shifrat e INSTAT të pavërteta, ekonomia po kalon në ‘gjendje kome’

10/01/2015 00:00

Ish-ministri i Financave dhe aktualisht deputet i Partisë Demokratike, Ridvan Bode ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ku foli për shifrat e publikuara nga INSTAT për tremujorin e tretë të vitit të kaluar, gjithashtu ai bëri edhe një analizë të ekonomisë për vitin 2015.

Sipas zotit Bode shifrat e publikuara nga INSTAT janë virtuale, ndërsa e vërteta, sipas tij, është që ekonomia po vijon të ndrydhet me ritme shumë të shpejta.

Ish-ministri i Financave akuzoi qeverinë se ka qenë kontributore për ta zhytur ekonominë në krizë. “Rritja e taksave, deklarimi për mosnjohje të koncesioneve, qëndrimi ndaj investitorëve të huaj, të cilët dëshmuan në 2014-ën se nuk janë të interesuar për të investuar në ekonominë e vendit, të gjitha këto dëshmojnë se qeveria është problemi i gjendjes aktuale të ekonomisë”, tha Bode.

Pandi Gjata: Zoti Bode, mësuam nga INSTAT se rritja ekonomike për tre mujorin e tretë ishte 3.3 përdind. A është bindës ky rezultat?

Ridvan Bode: Kjo shifër e INSTAT-it bën fjalë për ekonominë virtuale, atë ekonomi që mbillet në oborrin e qeverisë, ujitet prej qeverisë dhe që frytet i ha vetëm qeveria. E vërteta është që ekonomia po vijon të ndrydhet me ritme shumë të shpejta, ky dëshmohet nga të gjithë agregatët e ekonomisë. Kjo deklaratë është e pritshme nga ana e qeverisë që do të kishte një rritje ekonomike. Vitin e kaluar në tremujorin e tretë u deklarua një rënie prej 3.5%. Fundi i këtij tremujori është i barabartë me fundin e tremujorit të tretë të vitin 2012. Nëse krahasohet me tremujorin paraardhës bëhet fjalë për një rritje prej 0.6%, sa ishte edhe rënia. Kjo do të thotë që niveli i përgjithshëm bruto në fund të tremujorit të tretë është i barabartë me atë që ishte në muajin mars të këtij viti. Kur bëhet fjalë për dy tremujorë që kanë tendencë rritjeje do të thotë që ekonomia vazhdon të ndrydhet, duke u bazuar në shifrat e qeverisë. Se sa të vërteta janë këto shifra e qeverisë, unë mund të them vetëm një tregues. Këtë rritje të ekonomisë e ka ofruar, gati tërësisht, sektori i ndërtimit, bëhet fjalë për 8% rritje të prodhimit të brendshëm bruto në sektorin e ndërtimit. Në një situatë kur ndërtimet janë të bllokuara tërësisht, kur nuk ndërtohet jo vetëm në zonat urbane, ku investimet janë dukshëm nën nivelin e vitit të kaluar, si mund të jetë rritja më e lartë krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar?

Pandi Gjata: Meqenëse jemi në ditët e para të 2015-ës dhe ekonomia është shumë e rëndësishme për të gjithë ne, sipas jush, cilat janë rreziqet për rritjen e ekonomisë në vend?

Ridvan Bode: Ekonomia po vuan në tërësi dhe kjo ka për bazë qëndrimin e qeverisë në raport me ekonominë. Qëndrimin e saj agresiv, duke e sulmuar ekonominë dhe duke ngjallur panik, duke rritur nivelin e taksave dhe pasigurinë ligjore të bizneseve me ndryshimet e shpeshta të taksave. Rënien e madhe e konsumit, rënien e madhe e kreditimit të ekonomisë reale, prishja e mëtejshme e balancës së import-eksporteve, këta tregues që kanë të bëjnë me rritjen ekonomike janë në rënie dhe të pamjaftueshëm. Risqe të tjera të vitit 2015, unë mendoj që do të jenë të brendshme edhe për shkak të bllokimit të rritjes së pagave dhe të pensioneve, për shkak të rritjes së papunësisë. Njëkohësisht sistemi i financimit të bizneseve do të jetë gjithnjë e më problematik për shkak të normave tepër të larta të interesit.

Pandi Gjata: Ku është pesha e qeverisë në këtë situatë?

Ridvan Bode: Qeveria është përgjegjësia kryesore në dy tre drejtime. Së pari, qeveria nuk duhet të ishte kaq pasive sa vazhdon të jetë në raport me ekonominë. Qeveria ka qenë kontributore për ta zhytur ekonominë në krizë. Rritja e taksave, deklarimi për mosnjohje të koncesioneve, qëndrimi ndaj investitorëve të huaj, të cilët dëshmuan në 2014-ën se nuk janë të interesuar për të investuar në ekonominë e vendit, të gjitha këto dëshmojnë se qeveria është problemi. Politikat fiskale të ekonomisë nuk e kanë nxitur ekonominë, por për kundrazi kanë kontribuuar në oreksin për të investuar në ekonomi. Shifrat dëshmojnë për një rënie drastike në ekonomi. Nëse ne kemi investuar mesatarisht në 10 vitet e fundit rreth 1/3 e të gjithë prodhimit të brendshëm bruto, mos harroni se vitin e kaluar ishte vetëm 18% dhe ka tendencë rënie të mëtejshme. Për të mos folur pastaj që edhe koniunktura rajonale dhe globale…

Pandi Gjata: Çfarë do të evidentoni nga faktorët e jashtëm?

Ridvan Bode: Dy vendet kryesore që ndikojnë në ekonominë tonë janë Italia dhe Greqia, të cilat po vazhdojnë të jenë në ujëra tepër të turbullta dhe gati e gjithë Eurozona po kalon në një periudhë edhe më të keqe nga sa ishin momentet e goditjes. Lëngata e gjatë është më e keqe sesa një goditje momentale. Kjo do të thotë që perspektiva e dy ekonomive partnere me ekonominë shqiptare është jo shumë e sigurt.

Pandi Gjata: Sa mund të rrezikohet Shqipëria nga deflacioni?

Ridvan Bode: Shifrat e fundit të deklaruara dëshmojnë se pulsi i ekonomisë shqiptare nuk po rreh. Ekonomia po kalon gradualisht në gjendje kome. Nëse shikoni trendin e inflacionit gjatë gjithë vitit ka ardhur në rënie të vazhdueshme derisa muajin i fundit është deklaruar me një inflacion 0.4%.

Pandi Gjata: Praktikisht përtej kufijve…

Ridvan Bode: Ne jemi nga vendet e pakta në rajon dhe në Europë që kemi targetuar inflacionin. Banka e Shqipërisë është e përqendruar kryesisht te ky objektiv, ruajta e inflacionit. Rënia e inflacionit gati në zero do të thotë që pulsi i ekonomisë gati nuk rreh. Ekonomia shqiptare është e tillë që nuk përballon dot një inflacion shumë të lartë, por inflacionin e ulët e ka më problematik. Me 0% inflacion do të thotë që ekonomia është në ditët e saja më të pashpresa.

Pandi Gjata: Në këtë situatë, cili duhet të jetë roli i Bankës së Shqipërisë?

Ridvan Bode: Banka e Shqipërisë ka ndjekur politika për të ulur normat e interesit me idenë për të ulur normat e kredive dhe për të nxitur konsumin. Në të vërtetë kjo politik nuk ka ecur, pasi ka një diferencë shumë të madhe midis normave bazë të inflacionit dhe përqindjes së kredive që jepen nga sistemi bankar. Politika e uljes së normës bazë të interesit nga Banka Qendrore nuk ka funksionuar, por i ka shërbyer vetëm qeverisë për bonot e thesarit në nivele më të ulëta interesi. Ka një shkëputje shumë të madhe midis politikave që ndiqen nga Banka Qendrore dhe nga qeveria me atë që ndodh me ekonominë reale. Gati e gjithë politika zhvillohet në një sferë virtuale, pa impakte të drejtpërdrejta në ekonomi.

Pandi Gjata: A ka hapësira për të mbajtur lart stimulin fiskal, apo ka nxitësa të tjerë që mund të përdoren?

Ridvan Bode: Unë nuk mund të them se ka hapësirë për të përdorur stimuj fiskalë për ekonominë e vendit, por ka një hapësirë që duhej të ishte përdorur nga ana e qeverisë. Nuk kishte pse qeveria të vendoste taksat më të larta në rajon në ekonominë e vendit, kur ajo po vinte në rënie. Masat që u morën gjatë krizës në hapësirën e Eurozonës ishin të kundërta me këto masa. Biznesi kërkon më shumë siguri dhe më shumë frymëmarrje.

Pandi Gjata: Për të përkufizuar me një fjali të gjithë këtë analizë për pritshmëritë e ekonomisë, sipas jush kemi një 2015-të akoma më të vështirë, apo jo?

Ridvan Bode: 2015-ta do të jetë edhe më i vështirë. Fundi i këtij trendi të ekonomisë ende nuk ka ardhur. Të paktën deri në fund të 6 mujorit të parë situata do të vazhdojë të përkeqësohet. Do të varet shumë nga sjellja e qeverisë, por edhe nga reagimi i aktorëve të ekonomisë për të pasur një stabilizim të nivelit të poshtëm, në rast të kundërt i gjithë viti 2015 mund të vazhdojë me trend rënës dhe pavarësisht se qeveria do të mbjellë dhe do të korrë në oborrin e saj, ajo që ndodh me agjentët ekonomikë në Shqipëri është e kundërta.

Top Channel