Franca nuk ul nivelin e alarmit; nis gjuetia për persona të tjerë të përfshirë në sulme

10/01/2015 00:00

Megjithëse vlerësohet se rreziku më i madh është tejkaluar me operacionet e njëkohëshme ndaj dy situatave të pengmarrjeve në Paris, autoritetet franceze nuk e kanë ulur nivelin e alarmit dhe janë vënë në gjueti të bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm të tre terroristëve të vrarë një ditë më parë.

Kabineti qeveritar francez  mbajti ditën e shtunë një takim në pallatin Elysee në Paris për çështjen emergjente të sigurisë në vend. Pas mbarimit të tij, Ministri i Brendshëm njoftoi masat të cilat Franca do të marrë për të parandaluar sulmet terroriste.

Qeveria do të shtojë numrin e trupave policore si adhe ato të forcave speciale. Sipas Bernard Cazeneuve , vendi po mban nivelin më të lartë të alarmit, e kryesisht në Paris. “Në këtë kontekst ngjarjesh, u shpreh ai, ne jemi të ekspozuar ndaj rrezikut”.

Gjithashtu Franca do të forcojë shërbimet sekrete, sepse flitet se puna e tyre dështoi ndaj këtyre lloj sulmeve. Ndërsa Kryeministri Manuel Valls tha se nëse forcat e tyre speciale nuk do të kishin treguar profesionalizëm, numri i të vrarëve do të ishte më i lartë.

Ndaj sipas Valls, edhe trupat e reja duhet të jenë të trajnuara po aq mirë. Duke iu referuar tubimit paqësor të së dielës, kryeministri deklaroi se do të jetë një demostratë që do të mbetet në histori pasi do të flasë dashuria, toleranca dhe liria.

Pjesë e këtij tubimi do të jenë edhe disa liderë botërorë, përfshirë këtu Angela Merkel, David Cameron e Mateo Renzi. Ky i fundit ka hedhur idenë se një nga masat shtesë të BE-së duhet të jetë edhe krijimi i një shërbimi të përbashkët të inteligjencës.

Ndërkohë, vazhdojnë kërkimet për Hayat Boumeddiene, partnerja e Amady Coulibaly, i vrarë nga policia gjatë operacionit për lirimin e gjashtë pengjeve që 32-vjeçari mbante në një supermarket në Lindje të Parisit.

Sipas informacioneve, besohet se ajo ndodhej me Coulibaly-n në momentin kur ky i fundit është qëlluar për vdekje nga forcat speciale, por mundi të arratisej në rrethana që mbeten ende për t’u zbardhur. Policia franceze e përshkruan atë “të armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë”.

Të premten, pak orë pas përfundimit të operacioneve ku u angazhuan 88 mijë forca të rendit, Presidenti francez, Francois Hollande vlerësoi punën e tyre, por kërkoi që të mos ulet vigjilenca pasi rreziku i sulmeve të tjera mbetet i pranishëm.

“Duhet të jemi vigjilentë dhe ju kërkoj që në këto momente të jemi të bashkuar. Bashkimi është arma jonë më e fortë, arma jonë më e mirë”, deklaroi ai.

Kryeprokurori francez, Francois Molins tha se autoritetet janë përqendruar tek Boumeddiene. 26-vjeçarja besohet se ka qenë me Coulibaly-n edhe në momentin e vrasjes së një oficereje policie në rrugët e Parisit ditën e enjte.

Që të dy u zhdukën pa lënë gjurmë pak pas vrasjes, për t’u rishfaqur sërish ditën e premte, pak pas rrethimit të vëllezërve Kouachi në një shtypshkronjë në veri të Francës.

***

Nga vrasjet në Charlie Hebdo e deri tek dy operacionet e forcave speciale franceze; 20 të vrarë, 19 të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë, shkurtimisht ja çfarë tronditi Francën në tre ditë:

1)    E mërkurë, 7 janar, 11:30, 12 vetë vritën gjatë sulmit në redaksinë e Charlie Hebdo, dy prej tyre policë
2)    E mërkurë, 7 janar, 23:40, policia franceze bastis një zonë në Reims ku dy vëllezërit kishin jetuar vitin e fundit; arrestohen të afërmit e tyre
3)    E mërkurë, 23:00, i dyshuari si shoferi i dy terroristëve, Hamyd Mourad, 18 vjeç dorëzohet në Charleville-Meizeres, në veri të Francës, pranë kufirit me Belgjikën.
4)    E enjte, 8 janar. 08:45, një oficere policie qëllohet për vdekje nga një person i armatosur rëndë dhe me veshje antiplumb në Portle de Chatillon
5)    E enjte 13:00, raportohet një grabitje në një pikë karburanti në Villers-Cotterets; të dyshuarit janë dy vëllezërit e akuzuar për masakrën në Charlie Hebdo
6)    E enjte, 15:00, policia franceze nis kontrollin në pyje dhe shtëpi më shtëpi në Longpont, zonën ku u raportua grabitja
7)    E premte, 08:00. Raportohet grabitja e makinës së një mësuesi në Montagny Sainte Felicite
8)     E premte, 17:00, forcat speciale franceze ndërhyjnë dhe vrasin dy vëllezërit të strehuar në një shtypshkronjë. Lirohet pengu
9)    E premte, ora 17:00, shpërthime të fuqishme dëgjohen në një dyqan ushqimor në Porte de Vincennes, ku Amedy Coulibaly mbante peng gjashtë pengje nën kërcënimin e kallashnikovëve. Vetë Coulibaly mbeti i vrarë, sa për pengjet mbetet ende për t’u mësuar.

Top Channel