“Dritat” vidhen dhe në postë, Elbasan e Vlorë, punonjëset mashtruan klientët

10/01/2015 00:00

Qindra banorë të fshatit Shtërmen në Rrethin e Elbasanit janë dhe nuk janë pagues të rregullt të energjisë elektrike. Në librezat e tyre rezulton se kanë shlyer çdo detyrim për energjinë e konsumuar, por një gjë e tille nuk rezulton në OSHEE. Ata rezultojnë të jenë debitorë.

Situata e krijuar mori fill kur një punonjëse e filialit të Postes në fshatin Shtërmen përvetësoi paratë që qytetarët paguanin për energjinë elektrike. Punonjesja në fjale u arrestua, por nuk i shleu paratë dhe të mashtruarit prej saj duhet të ripaguajnë energjinë dy herë, përfshi edhe kamatvonesat.

“Unë i dorëzoj paret, se ku i ka çuar ajo, unë nuk di gjë. Thonë që jam i rregullt, por nuk paguaj dhe duhet të shkoj në gjyq”, thonë banorët.

Drejtoria Rajonale e OSHEE Elbasan sqaron se banorët duhet të vazhdojnë të paguajnë faturat e radhës, ndërsa për detyrimet që janë dorëzuar në postën Shtërmen, do të pritet vendimi i gjykatës.

“Abonentët mund të vazhdojnë të paguajnë faturat e radhës të energjisë elektrike, ndërsa në lidhje me detyrimet të cilat janë dorëzuar në zyrën postare Shtërmen, presim vendimin e gjykatës”, thotë Bukurosh Maçi, Drejtor i OSHEE në Elbasan.

Situata rezulton të jetë më e komplikuar se kaq. Edhe pse është faktuar vjedhja e 40 milionë lekëve të vjetra dhe po hetohet për një shumë që arrin në rreth 180 milionë lekë të vjetra, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan me vendimin e saj numër 1309 date 11 dhjetor 2014 e ka lënë të lirë punonjësen e Postës Shtërmen me detyrimin për të mos kryer vepra penale për një periudhë 3-vjeçare. Organi i akuzës e ka kundërshtuar një vendim të tillë duke arsyetuar: “E pandehura akuzohet për dy vepra penale për të cilat parashikohet dënim vetëm me burgim mbi 10 vjet.

Me këtë argumentin Prokuroria apeloi vendimin e Gjykatës, ndërkohë që mësohet se pritet gjithashtu që hetimi të përfshijë edhe Postën Shqiptare e cila në auditet e saj, në asnjë rast nuk ka vërejtuar abuzimin e kryer. Ndërkohë pranë Policisë së Elbasanit çdo ditë vazhdojnë të depozitohen kallzime penale për vjedhje nga ana e banorëve të Shtërmenit në lidhje me punonjësen e Postës në këtë fshat nga banorët të cilëve ju kërkohet të ripaguajne energjinë.

Një tjetër punonjëse e postës u arrestua në Novoselë të Vlorës. Ajo u gjet se kishte përfituar me mashtrim një shume prej 3 mijë lekësh nga shpërblimi i vitit të ri të veteranëve.

Policia e Vlorës u bëri thirrje banorëve të Novoselës se nëse rezultojnë debitorë kur e kanë paguar energjinë, të bëjnë padi. Top Channel pyeti disa nga banorët e qytezës dhe shqetësimi ishte real.

Top Channel