Në frigorifer për 5 orë për t’i shpëtuar pengmarrjes

10/01/2015 00:00

Sa më shumë kalojnë orët, aq më shumë histori të personave të mbijetuar nga dy situatat e pengmarrjeve në Paris dalin në shesh.

Pas historisë së punonjësit 27-vjeçar të shtypshkronjës që qendroi i veshur për më shumë se 3 orë në një kuti duke komunikuar dhe ndihmuar policinë, një tjetër del në sipërfaqje, por këtë herë nga pengmarrja në supermarketin në lindje të kryeqytetit francez.

Në momentin kur Amady Coulibaly u fut i armatosur rëndë dhe duke qëlluar në ajër në supermarket, mbi 30 persona që ndodheshin duke kryer blerje, nxituan duke u strehuar në dhomën frigoriferike.

Njëri prje tyre ishte dhe Johan Dorre, 36 vjeç. Ai ishte në gjendje të telefononte një mikun e tij për t’i thënë që ishin të bllokuar në dhomën frigoriferike, ndërsa një tjetër tregon momentet e frikës.

“Nipi im, Johan dhe të tjerët ishin të tmerruar nga frika se mos do zbuloheshin nga terroristët. Qendruan ashtu ngjitur me njëri-tjetrin për pesë orë, si kafshë të trembura, për të shmangur hipoterminë”, thotë Jacob Katorza, një hebre francez, pjesë e grupit të personave që u fshehën në frigorifer.

“Ishin orët më të gjata të jetës time. E dimë që këta njerëz janë monstra dhe nuk do të ngurronin të qëllonin hebrenjtë, prandaj sulmuan këtë supermarket sepse e dinin që është i hebrenjve”, shton ai.

Top Channel