Pogradec, Peleshi: Shpronësimet në bregun e liqenit, të ligjshme

10/01/2015 00:00

I gjithë bregu liqenit të Pogradecit po rehabilitohet ku përfshihet edhe
ndërtimi i shëtitores dhe ambienteve të rekreacionit përgjatë këtij
bregu falë fondeve të lëvruara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. 

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi inspektoi këto punime në rrugën Lin – Pogradec. Ai tha se çdo prishje në këtë zonë të cilat kanë qenë ndërtime me leje janë shpronësuar në përputhje të plotë me ligjin.  

“Ky projekt është pjesë e një programi shumë të madh të qeverisë shqiptare, programi i transformimit të qyteteve, por edhe i zonave me potencial turistik, siç është kjo zonë. Liqeni i Pogradecit është një pasuri jo vetëm e këtij rajoni, por është një pasuri kombëtare. Ky projekt nuk është vetëm një projekt infrastrukture, por është edhe një projekt ekonomik sepse ka për qëllim të nxisë më tepër, në mënyrë të qëndrueshme zhvillimin e turizmit në këtë zonë”, tha Peleshi.

Gjatë vitit 2014 Fondi i Zhvillimit të Rajoneve ka ndërmarrë mbi 77 projekte të rikualifikimit urban të qendrave urbane, ndërkohë që për vitin 2015 ky fond do të financojë projekte me një vlerë totale prej 125 milionë dollarësh.  
 
 
 

Top Channel