Rama: Janë shpifje, Shullazi prishte mitingjet tona elektorale

10/01/2015 00:00

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama pas deklaratës së të shtunës të kryetarit të Partisë
Demokratike, reagim të cilin ai e ka nisur me një shprehje të
Emmanuel Kant që thotë: ‘Kur shpif ndaj tjetrit, thua gjëra që i ke
bërë apo je në gjendje t’i bësh vetë!’

“Shpifin duke na akuzuar – thotë Rama – duke më akuzuar për çfarë kanë bërë vetë! U duket se ne jemi njësoj si ata dhe tanimë që jemi në qeveri, bëjmë atë që bënin ata vetë; bashkëqeverisim me krimin; e përdorim policinë si urë lidhëse me krimin; përdorim kriminelët për të trembur opozitën”.

Rama i kujton kreut të demokratëve Basha se, “Eshte e dokumentuar se individi me rekorde kriminale për të cilin na akuzojnë, më akuzojnë, me shpifje për të cilat dy padi penale e civile janë rrugës, ka qenë aktiv në prishjen e aktiviteteve tona elektorale në betejën e famshme të 2011 për Tiranën”.

Dhe për këtë kryeministri i referohet një letre të datës 6.05.2011, dërguar nga sekretari për çëshjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj zyrtarëve më të lartë të shtetit të asaj periudhe, presidentit Bamir Topi, kreut të SHISH Bahri Shaqiri, kryeprokurores Ina Rama, përfshirë misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE-së, përmes të cilës shprehet shqetësimi ndaj veprimtarisë së shtetasit Emiliano Shullazi.

Në letër theksohet se, “Shullazi dhe grupi i tij janë duke vepruar në kundërshtim me ligjin në funksion të interesave elektorale, duke patur kontakte të drejtpërdrejta me ministrin e Brendshëm Bujar Nishani, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Agron Kuliçaj, atë të Tiranës Saimir Muçaj dhe shefin e komisariatit Nr.2 Erzen Breçani”.

Janë pikërisht këto lidhje, thuhet më tej në letër, që i kanë dhënë këtyre elementëve statusin e paprekshmërisë, duke u krijuar mundësi të ushtrojnë të pashqetësuar dhe në mënyrë të hapur aktivitetin e tyre kriminal.

Letra e asaj kohe rendit një sërë incidentesh me protagonist Emiljano Shullazin, më i rëndi prej të cilëve ai ndaj kandidatit të atëhershëm socialist Erion Koka, të cilit iu vendos një sasi tritoli, si dhe prishjen e një mitingu elektoral po nga Shullazi të deputetëve Besnik Bare dhe Vasilika Hysi.

“Ky person në mënyrë të veçantë është shprehur se do t’i hidhte në erë kandidatin dhe stafin e tij. Këto kërcënime të hapura dhe në tërësi aktiviteti kriminal i këtij personi me rrezikshmëri të lartë, i njohur si drejtues i strukturave të krimit të organizuar, padyshim që përfshihen në objektin e veprimtarisë së SHISH”, shkruhet në letër.

Sipas të dhënave nga kjo letër, për këtë incident, të cilësuar nga PS si ngjarje e rëndë kriminale, u denoncua nga deputetët dhe u bë publike në media, policia e shoqëroi më datë 23 prill shtetasin Emiliano Shullazi, por ashtu siç pritej nënvizohet në letër ai vetëm u këshillua dhe u la në gjëndje të lirë. Kjo rrethanë i krijoi atij mundësinë për t’u rimobilizuar haptazi në shërbim të fushatës së kandidatëve të koalicionit qeverisës.

Top Channel