“Kërcënimi i Shullazit”, ROS merr në ruajtje Bashën dhe Ademin

10/01/2015 00:00

Ministria e Brendshme ka shtuar mbrojtjen ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe deputetes së kësaj partie, Voltana Ademi. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thonë se kërkesën për mbrojtje e kanë bërë ata, por kjo mohohet nga Ministria e Brendshme, që sqaron se kërkesa është bërë nga shefi i grupit të shoqërimit të zotit Basha.

Ky veprim i policisë, e cila në rrugë jozyrtare mësohet se ka atashuar efektivë nga sektori ROS – Reparti Operacional Special, – vjen pa kaluar shumë orë nga kallëzimi i deputetes Ademi, e cila denoncoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda se ishte kërcënuar nga shtetasi Emiliano Shullazi.

Burime të Prokurorisë së Përgjithshme thanë se, sipas kallëzimit, deputetja Ademi ka qenë në një lokal pranë “21 dhjetorit” në Tiranë, nën shoqërinë e miqve të saj, kur dhe ka ndodhur ngjarja.

“Unë po vishja pallton për të dalë – u ka thënë Voltana Ademi prokurorëve, – kur një person i panjohur m’u afrua dhe më tha: Emiliano Shullazi ka dy fjalë me ty. Pastaj u afrua personi tjetër, i cili më tha: Thuaji kryetarit tënd Basha, as të mos tentojë të ma përmendë emrin. Thuaji as të mos guxojë të dalë në papafingo”.

Burimet e Prokurorisë së Përgjithshme thanë për Top Channel në telefon, se aktualisht po kryhen disa veprime hetimore. Mes tyre është edhe këqyrja në restorantin, ku pretendohet se është kryer kërcënimi. Është këqyrur lokali në fjalë për të marrë prej andej kamerat e sigurisë, – thanë burimet, – por kemi edhe një listë personash, që ne dyshojmë se kanë qenë të pranishëm dhe është e nevojshme të pyeten – u shprehën më tej ata, që preferojnë të jenë anonimë.

Organi i akuzës nuk jep asnjë përgjigje nëse do të pyetet apo jo shtetasi Shullazi, por ajo që dihet është se për momentin, grupi i hetimit po përpiqet të vërtetojë me prova nëse Shullazi i ka dalë apo jo përpara zonjës Ademi.

Çështja është regjistruar në referim të nenit 109, fraksion b, të Kodit Penal, që bën fjalë për shtrëngim me anë të kanosjes apo dhunës, për të kryer apo moskryer një veprim të caktuar.

Top Channel