SHBA, prokurorët rekomandojnë akuza ndaj ish-shefit të CIA-s

10/01/2015 00:00

Prokurorët amerikanë kanë rekomanduar ngritjen e akuzave ndaj ish-drejtorit të CIA-s, David Petraeus, nën dyshimin se i ka ofruar informacione të klasifikuara një personi të afërt me të.

Lajmin e bën të ditur “New York Times”, e cila citon burime zyrtare që kanë folur në kushte anonimati.

Një gjeneral i shumëdekoruar, David Petraeus dha dorëheqjen nga posti i kreut të CIA-s në vitin 2012, pas publikimit të disa detajeve mbi një marrëdhënie mes tij dhe Paula Broadwell. Para kësaj detyre ai kishte qenë komandant i forcave amerikane në Irak dhe Afganistan.

Nga “NYT” mësohet se Departamenti amerikan i Drejtësisë po heton për të verifikuar nëse Petraeus i ofrojë Broadwell akses tek email-i i tij i CIA-s dhe tek informacione të tjera të klasifikuara teksa ishte drejtor i agjencisë.

Agjentët e FBI-së zbuluan dokumente sekrete në kompjuterin e saj, pasi gjenerali dha dorëheqjen nga posti. Vendimi për të ngritur akuza kriminale pas rekomandimeve të FBI-së dhe prokurorëve mbetet në dorë të kreut të Departamentit të Drejtësisë, Eric Holder.

Në rast të një padie, ish-shefi i agjencisë më të madhe të inteligjencës në botë mund të shpallet fajtor dhe të përfundojë në burg.

Avokati i zotit Petraeus nuk e ka komentuar lajmin, ndërsa vetë gjenerali ka thënë se nuk i ka ofruar kurrë informacione sekrete zonjës Broadwell.

Marrëdhënia mes tyre u zbulua në vitin 2011, kur Broadëell po punonte për të shkruar biografinë e gjeneralit. Në të njëjtin vit ai dha dorëheqjen nga posti i komandantit të trupave amerikane në Afganistan për të marrë drejtimin e CIA-s.

Ndërsa nga drejtimi i agjencisë ai u tërhoq vetëm një vit më vonë, me argumentin se nuk kishte qenë i aftë të menaxhonte punën në këtë institucion.

Top Channel