Policia, maksi-operacion për kontrollin e territorit

10/01/2015 00:00

Policia e Shtetit ka ndërmarrë në 24 orët e fundit një operacion masiv për kontrollin e territorit dhe parandalimin e akteve kriminale.

Burime policore zyrtare bëjnë të ditur se gjatë këtij operacioni, të shtrirë në qytete të ndryshme të vendit, janë kryer arrestime, kontrolle dhe bastisje.

Konkretisht janë arrestuar 12 persona për mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe të ftohta; 2 persona të shpallur në kërkim për trafik droge, të arrestuar njëri në Tiranë dhe tjetri në Elbasan; dhe një tjetër në Berat, i identifikuar si shtetasi Renato Kolaj, i dënuar në mungesë për “plagosje të rëndë me dashje”.

Gjithashtu janë kontrolluar 235 ambjente, kryesisht lokale, klube nate dhe salla lojërash fati, si dhe 1.345 automjete, shumë prej të cilave janë bllokuar për mungesë dokumentacioni.

Operacioni në fjalë i Policisë së Shtetit vjen pak ditë pas ngjarjeve kriminale të ndodhura në Tiranë, ku një person mbeti i vrarë dhe disa të tjerë të plagosur në dy atentate të ndryshme me armë zjarri.

Top Channel