Kosovë, prokurorët: 2015, viti i kthesës

10/01/2015 00:00

Prokuroria kosovare premton se viti 2015 do të jetë vit i kthesës në luftën kundër krimit në Kosovë. Kryeprokurori i Shtetit, Sylë Hoxha, në konferencën vjetore të prokurorëve përmendi dy sfida.

E para sipas tij ka të bëjë me numrin e pamjaftueshëm të prokurorëve, për çka është shpallur konkurs dhe së shpejti do të pranohen edhe 18 të rinj; ndërsa e dyta ndërlidhet me rezultatet konkrete në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.

“Sistemi prokurorial nga viti 2010 deri në vitin 2012 ka funksionuar përafërsisht me 50 për qind të kapaciteteve të tij. Mungesa e numrit të nevojshëm të prokurorëve pothuajse në të gjitha nivelet e prokurorive në Kosovë ka ndikuar në kualitetin dhe efikasitetin e sistemit prokurorial në Kosovë. Krahas numrit të vogël të prokurorëve, në bazë të statistikave të raporteve vjetore të punës kemi vërejtur se çdo vit kemi rritje të numrit të lëndëve nëpër prokurori nga 10 deri 12 për qind, që ka nënkuptuar edhe rritjen e numrit të prokurorëve”, deklaroi Hoxha.

Ndërsa zëvendësambasadorja amerikane Jennifer Bachus kërkoi nga organet e drejtësisë që të rrisin nivelin e ndëshkimit, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes policisë dhe prokurorisë.

“Prioritetet duhet të vazhdojnë të jenë luftimi i korrupsionit, si dhe krijimi i një niveli më të lartë të ndëshkimit të autorëve të këtyre veprave. Ju duhet që të vazhdoni të luftoni dukuritë negative për të përmirësuar transparencën, suksesin dhe pavarësinë. Po kështu është e rëndësishme ta shikoni policinë si partnere në luftën kundër krimit. Nga ana jonë, ne duhet të përpiqemi të ofrojmë mundësi të mira për prokurorët, që ata të mësojnë teknikat për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, dukuri që përpiqen ta destablizilojnë këtë vend. Dua t’ju them që ne në SHBA i marrim këto shumë seriozisht dhe jemi të përkushtuar që ta mbështesim Kosovën në këtë drejtim”, deklaroi Bachus.

Kritik ndaj punës së gjykatave dhe prokurorive ishte vetë kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, i cili tha se paanshmëria dhe transparenca duhet të jenë në nivele më të larta.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi kujtoi se prokurorët kanë fuqinë e ligjit që të jenë të pavarur dhe efikasë, duke shtuar se qeveria në mandatin e kaluar përmirësoi gjendjen e tyre sa i përket pagave, por edhe ambienteve të punës.

Nga ana e saj, kryeprokurorja e EULEX-it, Jaroslava Novotna bëri thirrje për vijimin e bashkëpunimit mes prokurorëve vendas e ndërkombëtarë deri në vitin 2016, atëherë kur misioni përfundon mandatin.

Top Channel