Gjakovë, protestë kundër ofendimeve të ministrit serb

10/01/2015 00:00

Anëtarë të lëvizjes Vetëvendosje dhe banorë të Gjakovës kanë protestuar këtë të shtunë në këtë qytet ndaj deklaratave ofenduese të ministrit serb në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviç.

Gjatë protestës, e cila është zhvilluar në mënyrë paqësore, pjesëmarrësit kanë kërkuar shkarkimin e Jabllanoviç nga posti ministror.

Kjo protestë është mbajtur pasi pak ditë më parë, ministri serb përdori shprehje të rënda ofenduese ndaj nënave protestuese gjakovare, të cilat i quajti “egërsira”.

“Qytetarët e Gjakovës nuk protestojnë sot për të kërkuar kërkim faljeje nga Jabllanoviç, por për të kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të tij dhe shpalljen e tij person non grata. Nëse Isa Mustafa nuk ka guximin ta bëjë këtë, atëherë le të shkojë edhe ai bashkë me Jabllanoviç”, ka deklaruar aktivisti i Vetëvendosjes, Driton Çaushi.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka kërkuar po këtë të shtunë që të ndalen fushatat e sulmit ndaj anëtarëve të qeverisë që vijnë nga radhët e komunitetit serb.

Përmes një statusi në Facebook, Mustafa ka bërë thirrje që të zbuten tonet dhe të qetësohen gjakrat, pasi agresiviteti nuk shërben në zgjidhjen e problemeve.

Në profilin e tij Mustafa është shprehur se, si njerëzit që kanë lindur ashtu edhe ata që jetojnë në Kosovë kanë të drejtë të jenë pjesë e institucioneve të vendit. Më tej ai ka kritikuar deklaratat e kryetarëve të komunave të Gjakovës dhe Prishtinës.

“Është mirë që ata të mendojnë, a e meritojnë familjet e të pagjeturve gjakovarë që të dashurit e tyre të përdoren për qëllime të axhendave politike? Apo është më mirë që ata të kryejnë detyrën e tyre dhe të përmbushin premtimet e marra para qytetarëve dhe ligjit. Po ashtu, edhe ministrat duhet të mendojnë dhe të njohin rrethanat, tragjeditë dhe pasojat e luftës para se të bëjnë deklarata të pamatura”, ka shkruar Mustafa.

Top Channel