PD reagon sërish: Rama mbron kriminelët dhe sulmon opozitën

10/01/2015 00:00

Rasti i Emiliano Shullazit është kthyer në një luftë verbale mes Partisë Demokratike dhe qeverisë, me secilën prej tyre që mundohet t’i faturojë tjetrës afërsinë me eksponentin e njohur të botës së krimit.

Kështu, pas deklaratës së mëhershme gjatë së shtunës të kryetarit Lulzim Basha, PD ka reaguar sërish pasdite ndaj deklaratës së kryeministrit Rama, që aludonte se Shullazi nën urdhërat e PD prishte mitingjet elektorale të PS.

“Partia Demokratike dënon me forcë qëndrimet e Edi Ramës, i cili prej një jave sulmon opozitën, por nuk gjen asnjë moment për të dënuar kërcënimin që i është bërë kryetarit të Partisë Demokratike nga banditi Emiliano Shullazi.

Si kryeministër i vendit, Edi Rama do të duhej ta dënonte këtë ngjarje, më e pakta, e të distancohej nga ajo. Por, ashtu si edhe me sulmin ndaj opozitës në parlament, Edi Rama mbron kriminelët dhe sulmon opozitën. Mosdistancimi është po aq i rëndë sa edhe kërcënimi.

Mosdistancimi nga kjo ngjarje i Edi Ramës dhe mosdënimi i saj është baraz me daljen zot të kërcënimit dhe baraz me mbrojtjen e kërcënuesit”, thuhet në një reagim për shtyp.

Partia më e madhe e opozitës akuzon Ramën se po tenton të hedhë mjegull mbi ngjarjet ku sipas saj ai është i përfshirë, edhe pse opinioni publik, siç thotë ajo, e ka fare të qartë situatën.

Në deklaratën e saj PD thekson se Emiliano Shullazi është arrestuar disa herë në kohën e qeverisjes së djathtë dhe ka vuajtur dënime, fakt ky që sipas saj mund të provohet nga arkivat e medias dhe të drejtësisë.

Por, shton PD, “fakt është se Emiliano Shullazi në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte njeriu kryesor i shtabit elektoral të Saimir Tahirit dhe janë qindra e mijëra qytetarë të Tiranës dëshmitarë okularë për afërsinë dhe shoqërimin e tij me ministrin e sotëm të Rendit”.

“Siç është fakt se Shullazi u lirua menjëherë pas përplasjes së përgjakshme në zemër të Tiranës, 5 ditë më parë, me të vdekur e të plagosur. Siç është fakt se oficerë të forcave speciale ishin në radhët e bandës së tij. Siç është fakt lehtësia që gëzon ai për të kërcënuar fjalën e lirë, opozitën dhe kreun e saj. Këto pra janë faktet që tregojnë për mbështetjen dhe lidhjen që ka kjo bandë me Edi Ramën, Saimir Tahirin e kompani”, përfundon njoftimi.

Top Channel