Misteri i Hayat, vajza 26-vjeçare ndodhet në Siri?

10/01/2015 00:00

Vajza më e kërkuar nga drejtësia franceze, Hayat Boumeddienne, duket se ka çoroditur fare sistemin e sigurisë të këtij vendi. Hije misteri mbulojnë figurën e 26-vjeçares dhe sidomos atë të vendndodhjes së saj.

Sipas radios “Europe 1”, që citon burime konfidenciale, vajza nuk ndodhet në Francë por në Siri, ku ka mbërritur në ditët e para të janarit nga Turqia.

Partnerja e Amedy Coulibaly, sipas transmetuesit radiofonik, ka marrë më 2 janar fluturimin e linjës Madrid-Stamboll. Ajo kishte edhe një biletë kthimi për më 9 janar, por nuk është paraqitur në aeroport.

Edhe radio “RTL”, që citon burimet e saj, konfirmon lajmin duke shtuar se Boumeddienne është parë teksa ka kaluar kufirin turko-sirian më 8 janar.

Më herët, burime policore kishin deklaruar për CNN se vajza kishte arritur t’i shpëtonte aksionit të forcave speciale, duke dalë bashkë me pengjet nga dyqani ku mbeti i vrarë partneri i saj.

Ndërsa burime të tjera, të cituara nga gazeta “Le Monde”, përjashtonin praninë e saj në dyqanin ku ndodhi ngjarja.

Boumedienne dhe Colibaly rezultojnë të lidhur që prej vitit 2010 dhe sipas mediave franceze vajza kishte shkuar ta merrte atë me makinë kur ai la burgun. Që prej atij momenti ata kishin nisur të jetonin së bashku.

Edhe Boumedienne rezulton e marrë në pyetje nga shërbimet e anti-terrorit në vitin 2010 dhe sipas “Le Monde” i kishte thënë policisë se gjatë një vizite në Begal a Murat grupi ishte stërvitur për të gjuajtur me balestër.

Top Channel