Heronjtë e Parisit, civilët që shpëtuan jetë njerëzish

10/01/2015 00:00

Pas përfundimit të orëve të gjata të ankthit, disa nga pengjet e atentatorëve të Parisit kanë rrëfyer për mediat dramën e përjetuar.

Njëri nga protagonistët ishte Lasen Batili, punojësi i supermarketit të marrë peng. Personat që ishin brenda e cilësuan 24-vjeçarin si hero, pasi arriti të fshihte 6 pengje nëpër dhomat-frigorifer të dyqanit, me qëllim që atentatori Amedi Kulibali të mos i dallonte.

Më pas ai u fiku dritat si edhe impiantet e ftohjes. Por jo vetëm kaq punojesi i supermarketit ishte gjithashtu i pari që telefonoi policinë. Djali me origjinë nga Mali i përket besimit mysliman. Në fund të pengmarrjes ai është cilësuar si një nga heronjtë e Parisit.

Po ashtu një tjetër nga pengjet e supermarketit u mundua t’i merrte terroristit Kulibali armën nga dora, por fatkeqësisht ajo ngeci. Pikërisht në atë moment agresori ia mori nga dora dhe e vrau gjakftohtësisht.

Po ashtu, një tjetër 27-vjeçar francez Lilian Lepere është personi që i dha informacione policisë nga brenda ndërtesës ku ndodheshin dy vellezit Cherif dhe Said Kouachi.

Teksa ndodhej në shtypshkronjë duke bërë punën e tij si dizajner, ai kishte dëgjuar terroristët të bërtisnin. Prandaj ai u fsheh menjëherë në një kuti kartoni.

Prej aty i kishte dërguar mesazh në telefon të atit. “Jam fshehur në katin e parë. Besoj se ata i kanë vrarë të gjithë. Lajmëro policinë të ndërhyjë”, i tha ai të atit.

Lepere nuk u pikas për asnjë moment nga terroristët, por dërgonte orientime për policinë mbi lëvizjen e vëllezërve Kouachi, duke i dhënë edhe sinjalin e duhur për ndërhyrjen vdekjeprurëse ndaj terroristëve.

Top Channel