Rreth 30 mijë punonjës të arsimit fillor dhe atij të mesëm në Maqedoni, nga 20 janari do të nisin një grevë të përgjithshme në shenjë pakënaqësie për gjendjen në arsim.

Këtë vendim e ka marrë Këshilli i Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës, pas dështimit të bisedimeve tremujore me zyrtarët e qeverisë rreth kërkesave të Sindikatës për përmirësimin e kushteve të mësimdhënësve.

“Konstatimi ynë është se bisedimet tre mujore me përfaqësuesit e qeverisë rreth kërkesave tona nuk kanë dhënë rezultate. Në këtë konferencë për media ishin të ftuar edhe zyrtarët e pushtetit por refuzuan të merrnin pjesë. Për shkak të mos pranimit të kërkesave tona, Këshilli i Sindikatës mori vendim që nga 20 janari të hyjë në fuqi greva e përgjithshme”, deklaroi Joakim Nedelkov, kryetar i SHASHK.

Drejtuesit e Sindikatës së Arsimit kërkojnë rritjen e pagave të mësimdhënësve për 25% dhe anulimin e gjobave për ta. Greva do të zgjasë deri në realizimin e këtyre kërkesave, ndërsa përfaqësuesit e Sindikatës i bëjnë thirrje pushtetit të mos ushtrojë presion për të penguar grevën.

“Greva do të jetë klasike, mësimdhënësit do të shkojnë në punë, por nuk do të mbajnë procesin mësimor. Kohëzgjatja e grevës nuk varet nga ne por nga pushteti. Greva nuk do të ndërpritet derisa nuk gjendet zgjidhje e pranueshme për kërkesat e Sindikatës”, shtoi Nedelkov.

Përkrahje për kërkesat e tyre, drejtuesit e Sindikatës në Maqedoni kanë marrë nga Konfederata Evropiane e sindikatave në arsim.

Top Channel