E dyshuara e fundit e policisë franceze është arratisur drejt Sirisë

11/01/2015 00:00

Gruaja, për të cilën e gjithë policia dhe forcat speciale franceze janë vënë në kërkim prej së mërkurës, si të dyshuar për bashkëpunim në sulmin vdekjeprurës ndaj revistës satirike dhe pengmarrjen në supermarketin hebre në Paris, është larguar nga Franca disa ditë përpara vrasjeve dhe besohet të jetë në Siri, kanë bërë të ditur burime turke dhe franceze gjatë së shtunës.

Pas ekzekutimit të pengmarrësit dhe dy terroristëve që kryen sulmin ndaj “Charlie Hebdo”, në atë që konsiderohet si sulmin më të keq të ndodhur në Francë prej dekadash, policia franceze nisi një kërkim masiv për Hayat Boumeddiene, partneren 26-vjeçare të një prej agresorëve, duke e përshkruar atë si “të armatosur dhe të rrezikshme”.

Por, një burim i informuar mbi situatën tha se Boumeddiene është larguar nga Franca javën e kaluar dhe ka udhëtuar drejt Sirisë përmes Turqisë. Një zyrtar i lartë turk ka vërtetuar diçka të tillë, duke thënë se ajo ka kaluar përmes Stambollit më 2 janar.

Forcat e sigurisë mbeten ende në nivel të lartë gatishmërie dhe alarmi përpara marshimit të së dielës, që do të mbledhë së bashku edhe liderët më të lartë të Europës, në një shfaqje solidariteti për 17 viktimat e vrarë përgjatë 3 ditëve të dhunshme, që nisën të mërkurën me sulmin ndaj “Charlie Hebdo” dhe përfunduan të premten me dy rrethimet e policisë, për të neutralizuar terroristët.

Forcat franceze të sigurisë qëlluan për vdekje dy vëllezërit që ishin përgjegjës për vrasjet në “Hebdo”, e më pas edhe ndihmësin e tyre (partnerin e Boumeddiene), i cili vendosi disa eksplozivë në Paris për të penguar rrethimin e forcave speciale, por që në fakt shkaktuan edhe 4 viktima të tjerë mes pengmarrësve.

Të shtunën, policia ruajti një prezencë të tepërt përreth kryeqytetit francez, me patrullime në vendet më të ndjeshme përfshi edhe zyrat mediatike, ndërkohë që manifestime të heshtura lokale janë mbajtur anembanë Francës. Ministri i Brendshëm tha se 700 mijë persona kanë marrë pjesë në to, përfshi 120 mijë në Tuluzë, 75 mijë në Nantë dhe 50 mijë në Marsejë.

Sulmi ndaj “Charlie Hebdo”, një revistë që satirizonte Islamin ashtu sikurse dhe besime të tjera fetare dhe politikanë të ndryshëm, ngriti pikëpyetje të rëndësishme mbi lirinë e fjalës, besimin dhe sigurinë në një vend si Franca, që është përpjekur të integrojë plot 5 milionë muslimanë.

Top Channel