Arrestohen dy kushërinj, porositës për vrasjen e Pajtim Serjanit

11/01/2015 00:00

Tentativa e vrasjes së Pajtim Serjanit, policit Roland Meta dhe dy miqve të tyre duket se nuk ka lidhje me atentatin ndaj Shullazit. Në hetimet e policisë rezulton se vetë Serjani, miku i Emiljano Shullazit, ka patur konflikt me dy kushërinjtë Aurel dhe Amarildo Hoxhallari, të arrestuarit një natë më parë nga Policia e Tiranës.

Dy kushërinjtë kanë paguar shtetasin Artur Baze të vrasë Serjanin, por ky i fundit ngeli viktimë e atentatit. Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, gjatë një deklarate për shtyp sqaroi detaje të arrestimit të tyre dhe lidhi motivin e hakmarrjes pas një konflikti të mëparshëm mes Serjanit dhe dy kushërinjve.

“Ndalimi i këtyre shtetasve është kryer në konsulencë me Prokurorinë, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, të ndaluarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë planifikuar dhe siguruar kushtet për ekzekutimin e shtetasit Pajtim Serjani në datën 5 janar të 2015. Motivi i kësaj ngjarjeje mund të jenë konflikte të mëparshme të shtetasve me njëri-tjetrin”, u shpreh Ardian Cipa, drejtori i Policisë së Tiranës.

Të arrestuarit Aurel dhe Amarildo Hoxhallari, të dy me precedentë të mëparshëm kriminalë, do të akuzohen për vrasje me paramendim e ngelur në tentativë.

Top Channel