Vuçiç përplaset me BE-në, akuza dhe kundërakuza për qëndrimin ndaj kritikave mediatike

11/01/2015 00:00

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç ka akuzuar zyrtarët e Bashkimit Europian mbrëmjen e së shtunës si orkestrues të një fushate kundër qeverisë, pasi një organizatë mediatike rajonale publikoi një artikull kritikues në lidhje me rindërtimin e një miniere qymyri.

Ngërçi i fundit erdhi pasi Rrjeti i Raportuesve Investigativë të Ballkanit (BIRN) me seli në Sarajevë publikoi më herët gjatë javës një lajm se kompania monopol e energjitikës, e zotëruar nga shteti, (EPS) kishte kontraktuar një konsorcium lokal pa përvojë për rindërtimin e minierës së Tamnavës, duke rritur kështu kostot.

51 persona kanë humbur jetën në Serbi gjatë majit të vitit të kaluar për shkak të përmbytjeve, të cilat kanë shkaktuar gjithashtu edhe shkatërrime në masën e 1,5 miliardë eurove, përfshi këty edhe përmbytjen e minierës Tamnava, e cila furnizon me qymyr termocentralin TENT, teksa ky i fundit prodhon thuajse gjysmën e energjisë së nevojshme në vend.

Në një konferencë për shtyp gjatë së shtunës, kryeministri Vuçiç akuzoi BE-në dhe Michael Davenport, kreun e misionit të BE-së në Serbi, si financues të organizatave mediatike përfshi BIRN-in, për të shpifur ndaj qeverisë.

Në një deklaratë kundërpërgjigjeje, Maja Koçijançiç, një zëdhënëse e Komisionit Europian, u shpreh e habitur nga pretendimet e Vuçiç. “Kritika mediatike është thelbësore për të siguruar përgjegjshmërinë e duhur të qeverive të zgjedhura nga populli”, tha ajo.

Koçijançiç shtoi gjithashtu se Bashkimi Europian pret që autoritetet serbe të sigurojnë një mjedis që do të ishte në mbështetje të lirisë së fjalës dhe të shtypit, por edhe mediave. Qershorin e vitit të kaluar, Vuçiç u përplas gjithashtu me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE), një mbikëqyrës për sigurinë dhe të drejtat në Europë, duke i akuzuar ata si gënjeshtarë, pas kritikave ndaj qeverisë së tij se po përpiqej të mbyste kritikat online të mënyrës se si po i përballonte ai përmbytjet.

Ndërkohë nuk ka munguar edhe një tjetër reagim i Vuçiç, i cili akuzoi Koçijançiç se po përpiqej ta detyronte atë të heshtte. “Jam i shokuar nga fakti se Maja, në emër të BE-së, është përpjekur të më mbyllë gojën”, tha ai në një letër drejtuar Komisionit. “Refuzoj të jem kukulla juaj”, është shprehur Vuçiç.

Vuçiç njihet si një ish-ultranacionalist, i cili ka shërbyer si ministër Informacioni gjatë regjimit autokratik të Slobodan Miloseviçit në fund të viteve ’90. Më vonë ai ndryshoi politikën e tij dhe iu bashkua rrugëtimit të Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Top Channel