Hollande, takim me hebrejtë e Francës, të cilët shprehen për “gjendje lufte”

11/01/2015 00:00

Dita e marshimit të madh të unitetit në shenjë solidarizimi ndaj viktimave të terrorizmit, për Presidentin francez Francois Hollande ka nisur me një takim me përfaqësuesit e komunitetit hebraik francez.

Në takim ka marrë pjesë edhe kryeministri Manuel Valls, si dhe ministri i Brendshëm Bernard Cazeneuve. Në “Elysee” kanë mbërritur, mes të tjerëve, edhe Rabini i madh i Francës, Haim Korsia, si dhe presidenti i Këshillit, që përfaqëson institucionet hebraike të Francës, Roger Cukierman.

Menjëherë pas takimit, të zhvilluar me dyer të mbyllura, Cukierman ka deklaruar se “jemi në gjendje lufte”, duke ftuar të gjithë udhëheqësit botërorë të parashikojnë “masa të ashpra” kundër terrorizmit dhe bindjeve xhihadiste. Sipas “Le Figaro”, kreu i shtetit francez ka njoftuar gjatë takimit përforcimin e masave mbrojtëse ndaj vendeve të komunitetit hebraik në Francë.

Ndërkohë, Izraeli ka ofruar mundësinë e varrosjes në Jeruzalem të viktimave të atentatit në supermarketin e Parisit. Lajmi është bërë i ditur nga burime ushtarake, sipas të cilave njëri prej të vrarëve, 21-vjeçari Yoav Hattab, do të varroset të martën në Jeruzalem.

Funeral për Yohan Cohen do të zhvillohet sot në Paris, ndërsa familjarët e dy viktimave të tjera, Michel Saada dhe Philippe Braham, janë ende duke menduar ofertën izraelite. Në vitin 2012 u varrosën në Jeruzalem edhe viktimat e atentatit të Tuluzës.

Top Channel