Britania mobilizon trupat speciale antiterrorizëm SAS. NSA: Edhe Roma një objektiv i mundshëm

11/01/2015 00:00

Pas sulmeve terroriste të Parisit dhe kërcënimeve të Al Kaedës se tani e ka radhën Britania, Londra ka mobilizuar trupat speciale elitare, SAS, për të mbrojtur rrugët dhe qytetet britanike.

Sipas prestigjiozes “The Sunday Times” të Londrës, shefat e sigurisë kanë paralajmëruar se 150 xhihadistë me origjinë britanike, e që jetojnë në ishull, mund të ndërmarrin sulme të ngjashme me armë zjarri si ato në Francë, ku humbën jetën 17 vetë.

Trupat speciale janë thirrur në gatishmëri për të mbrojtur Londrën dhe qytetet e mëdha, për të shmangur këto sulme terroriste. Këto forca janë bashkuar me policinë e antiterrorizmit, si dhe 1900 pjesëtare të Forcave të Armatosura, në operacionin më të madh të sigurisë në vend, që nga koha e Lojërave Olimpike të 2012-s.

Madje, sipas një tjetër gazete të së dielës, “The Sun on Sunday”, ka plane për të krijuar një degë të antiterrorizmit të forcave speciale britanike për të mbrojtur vendin.

Shefat e sigurisë mendojnë që kjo forcë të jetë në gatishmëri 24 orë në ditë, për çdo zhvillim të mundshëm. Britania është në prag të rritjes së nivelit të gatishmërisë, në atë që quhet “niveli kritik”, çka do të thotë se një sulm terrorist është i pritshëm dhe i pashmangshëm.

Edhe Roma mes objektivave të terroristëve – Atentati i ndodhur në Paris duket se është i pari i një serie sulmesh në të gjithë Europën, ndërsa Roma besohet të jetë gjithashtu mes objektivave të terroristëve. Këtë kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë të Agjencisë për Sigurinë Kombëtare (NSA), e që janë publikuar në tabloidin gjerman “Bild am Sonntag”.

“Në përgjimet e realizuara – vazhdon njoftimi në median gjermane – është përmendur edhe emri i kryeqytetit italian, pavarësisht se planet konkrete deri më tani nuk janë bërë të ditura”.

Top Channel