Nuk i jep lekë, nipi godet me sëpatë në kokë gjyshen

11/01/2015 00:00

Një 21-vjeçar ka goditur me sëpatë në kokë gjyshen e tij 60-vjeçare pasi kjo e fundit nuk i dha para’. Ngjarja ka ndodhur të shtunën pasdite në Lagjen 10 të qytetit të Korçës, ku e plagosur rëndë ka mbetur Enverie Çollaku.

Ka qenë një grindje e çastit midis nipit dhe gjyshes, e cila ka degraduar deri në përdorimin e mjeteve të mprehta, duke i shkaktuar 60-vjeçares plagë të rënda në kokë. Të shokuar nga krimi i rëndë, familjarët e së plagosurës thanë për gazetën ‘Shqip’ se gjithçka ka ndodhur rreth orës 18:00 të së shtunës, ku 21-vjeçari Pablo Hazisllari, duke përfituar se të gjithë ishin në gjumë, ka shkuar në dhomën e gjyshes së tij dhe e ka qëlluar disa herë në kokë me sëpatë, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Dora e ashpër e 21-vjeçarit nuk ka ndalur, por ka vazhduar të qëllojë me gjakftohtësi edhe në pjesë të ndryshme të trupit. Ka qenë nusja e shtëpisë e cila ka ndërhyrë momente për të shpëtuar vjehrrën nga nipi agresor, duke ia rrëmbyer nga dora sëpatën, ndërsa më pas kanë ndërhyrë edhe familjarët e tjerë. E plagosura është transportuar menjëherë drejt spitalit rajonal të Korçës, ku është jashtë rrezikut për jetën.

E tmerruar nga veprimi i nipit, i cili e masakroi barbarisht pa mëshirë, 60-vjeçarja Enverie Çollaku thotë për gazetën “Shqip” se gjithçka nisi për para. Mes dhimbjesh nga plagët e marra, ajo tregon se fillimisht nipi kishte shkuar në dhomën ku ajo flinte së bashku me nipin tjetër 4-vjeçar dhe i kishte kërkuar një shumë prej 5 mijë lekësh të reja. Në gjendje shumë të vështirë ekonomike, 60-vjeçarja i ka thënë nipit se nuk kishte para, por ky i fundit është xhindosur duke thyer gjithçka në shtëpi dhe më pas ka marrë sëpatën dhe i është sulur duke e masakruar.

Ngjarja bëhet edhe më tronditëse kur familjarët vijojnë të rrëfejnë momentin e krimit. Ata shtojnë se, nëse nuk do të kishte ndërhyrë nusja e shtëpisë, 21-vjeçari agresiv do të qëllonte edhe mbi kushëririn e tij 4-vjeçar, i cili ishte në shtrat me gjyshen. 21- vjeçari ulërinte për para, ndërsa thoshte se nëse nuk ia jepnin, ai do qëllonte mbi 4-vjeçarin.

21-vjeçari njihet nga Policia e Korçës si person me precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa ishte edhe përdorues i lëndëve narkotike.

Top Channel