Apeli i Tahirit: Bashkë kundër të keqes!

11/01/2015 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, bëri apel gjatë një daljeje publike mesditën e së dielës ndaj politikës dhe pjesës tjetër të shoqërisë për të hequr dorë nga akuzat dhe sulmet ndaj policisë.

Në deklaratën e tij, ministri tha se i ftonte të rreshtoheshin të gjithë në një front kundër së keqes që kërcënon të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve.

“Ne nuk pranojmë asnjë kompromis me asnjë lloj dhune, asnjë shfaqje të kriminalitetit, asnjë formë pandëshkueshmërie. Por, besojmë shumë fort se aftësia jonë, nga njëra anë e koordinimit dhe bashkëpunimit fare të ngushtë ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave, së bashku me kontributin e të gjitha institucioneve të tjera ligjzbatuese, dhe nga ana tjetër e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe çdo qytetari të rregullt e të ndershëm në këtë vend, është elementi themelor për të ndërtuar një Shqipëri të sigurtë, ku dhuna, paligjshmëria dhe krimi parandalohen e luftohen nga ne, të gjithë bashkë pa përjashtim”, tha zoti Tahiri.

Lidhur me çështjen “Shullazi”, por pa e cituar atë në deklaratën e tij, ministri i Brendshëm u shpreh se krimi nuk ka ngjyra politike e nuk mund të merret në mbrojtje nga askush: “Kush bën gabimin ta shohë krimin me preferencë apo ndasi, me të tyret apo tanët, të këtij apo atij, apo akoma më keq kush fut politikën në mes të betejës sonë të përbashkët, të institucioneve dhe qytetarëve me krimin, nuk ka bërë gjë tjetër vetëm i ka dhënë mbrojtje, frymëmarrje e nxitje botës së dhunës e krimit, që ndër ne nuk mund e nuk duhet të gjejë asnjë çarje e as dallim”.

Ministri informoi për nisjen e një aksioni dhe shërbime të përforcuara në vend me synim parandalimin e kriminalitetit. Sipas tij, i gjithë efektivi i forcave speciale janë në gatishmëri pa afat me prezencë të shtuar në mjedise publike dhe akse rrugore. Do të ketë kontrolle të personave, mjediseve dhe mjeteve që sipas të dhënave paraprake apo analizës së riskut, përbëjnë potencial për kërcënim ndaj sigurisë. Tahiri i kërkoi qytetarëve bashkëpunim.

Top Channel