Viktimat e terrorit në Francë

11/01/2015 00:00

21-vjeçari Yoav Hattab ishte student, i biri i një rabini në Tunizi e në Paris jetonte vetëm. Prindërit e Yohan Cohen, 22 vjeç, student edhe ai, origjinën e kanë nga Algjeria e në Francë ishin vendosur në vitet 1960. Yohani kish lindur në Enghien-les-Bains e frekuentonte një shkollë profesionale hebraike.

63-vjeçari François-Michel Saada, dikur një drejtues i lartë, aktualisht ishte në pension.

Punonjësi i një kompanie konsultimi IT-je, 45-vjeçari Philippe Braham, përshkruhet nga ata që e njihnin si “njeri tepër i përkushtuar e gjithmonë i gatshëm të ndihmonte të tjerët”.

Këta janë 4 viktimat e sulmit në supermarket, episod dhune po aq absurd sa dhe masakra e “Charlie Hebdo”-së. Clarissa Jean-Philippe, efektivja 26-vjeçare e qëlluar pas shpine, në 12 janar do të diplomohej në Akademinë e Policisë në Paris. Ajo dhe kolegu iu përgjigjën njoftimit për një incident trafiku kur u ekzekutua me gjakftohtësi. Të dy oficerët ishin të paarmatosur.

Ahmed Merabet ishte polici i plagosur, i qëlluar në kokë nga sulmuesit e “Charlie Hebdo”-së. Pamjet e tmerrshme të vrasjes së tij qarkulluan në mbarë botën, duke e treguar 42-vjeçarin të shtrirë në tokë me duart lart.

Merabeti u vra nga myslimanë të rremë, deklaroi i vëllai, Malek. “Islami është fe e paqtë, nuk vret njerëz. Mos i ngatërroni ekstremistët me myslimanët”, ishte lutja e tij.

“Të marrët nuk kanë as ngjyrë e as besim. Mos i lyeni të gjithë me zift, mos digjni xhami apo sinagoga. Mos sulmoni njerëz. Asnjë nga këto nuk do t’i ngjallë të vdekurit e nuk do të kënaqë familjet e tyre”, përfundon Malek.

Elsa Cayat ishte e vetmja femër që vdiq nga sulmi i përgjakshëm në redaksi. Ishte psikoanaliste e dy herë në muaj shkruante në një rubrikë të revistës për çështje të ndryshme.

Nga 12 viktimat e “Charlie Hebdo”-së, 2 ishin policë e të tjerët punonjës të revistës së satirës, përfshirë dhe kryeredaktorin Stephane Charbonnier, i cili pat thënë në një intervistë për ‘Le Monde’ në 2012-tën: “Mund të duket pak si shumë pompoze, por unë vetë preferoj më mirë të vdes në këmbë sesa të jetoj i gjunjëzuar.”

Top Channel