Kryeministri Rama dhe 4 përfaqësuesit e komuniteteve fetare në marshimin e Parisit

11/01/2015 00:00

Jo pak të çuditur, francezët dhe qytetarë të tjerë nga mbarë bota duartrokitën dhe brohoritën si mesazhin kuptimplotë të parakalimit të përbashkët të përfaqësuesve të katër komuniteteve fetare në Shqipëri, që ishin pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Kryeministri Edi Rama.

Me dy ministra të kabinetit qeveritar, tre lapsa në xhep me ngjyrat e flamurit francez dhe katër përfaqësues të komunitetit fetar shqiptar, Kryeministri Edi Rama i është bashkuar marshimit të Unitetit në Paris, duke bërë ndalesën e parë në gazetën satirike “Charlie Hebdo”.

Delegacioni shqiptar i është bashkuar në këtë mënyrë delegacioneve nga mbarë bota, që në Paris përcollën mesazhin e bashkimit dhe solidaritetit përkundër atij të përçarjes që u kërkua të imponohej përmes akteve terroriste. Lule dhe lapsa, në vendin e përkujtimit të 12 njerëzve të medias që ranë pre e sulmit barbar, vendosën edhe një sërë gazetarësh nga Tirana, në solidaritet me kolegët francezë.
Për të gjithë duhet të jetë e qartë, tha kryeministri shqiptar, se aktet barbare në emër të Profetit nuk kanë të bëjnë me asnjë lloj feje.

“Nuk ka Zot, nuk ka Profet dhe nuk ka fe që inkurajon vrasjen e njerëzve, që inkurajon përçarjen dhe që inkurajon shfarosjen e një pjese në emër të një pjese tjetër”, është shprehur Kryeministri Rama.  

Sot jemi të gjithë Francë dhe çdo vend që ka përfaqësuar vlerat e lirisë, tha Rama, është i kërcënuar gjithashtu.

“Të flasim për imunitet të një vendi apo të një vendi tjetër në momentin që është goditur njëri nga vendet e familjes europiane, jemi të goditur edhe ne realisht, jo simbolikisht sepse goditen ato vlera dhe ato themele mbi të cilat ne kemi vendosur të ndërtojmë jetën dhe të ardhmen tonë”, shtoi Kryeministri.

Por ajo që kreun e qeverisë shqiptare e bëri më krenar në Paris, ishte shoqërimi i tij prej katër përfaqësuesve të komuniteteve fetare në vend, si vlerë unikale e Shqipërisë, e cila në këtë paraqitje kërkoi të jepte mesazhin: Se Shqipëria e vëllazërisë fetare është e vendosur të vazhdojë të mbajë lartë flamurin e lirive, e të drejtave, flamurin e barazisë mes të gjitha opinioneve dhe besimeve dhe të mos përfundojë në kurthin e urrejtjes në kurthin e përçarjes, në kurthin e frikës ku kjo mortje kërkon ta përfshijë botën tonë”, tha Rama.

Bashkëjetesa dhe harmonia fetare shqiptare përmes përfaqësuesve të saj sot në Paris, u përçua deri në Elize, ku u bë pritja e krerëve të shteteve nga Presidenti francez, François Hollande.

Delegacioni shqiptar me katër përfaqësuesit fetar së bashku, përveç tërheqjes së vëmendjes nga media ndërkombëtare dhe interesimit të tyre të lartë për këtë shfaqje të rrallë, qe e tillë edhe në parakalimin e tyre  në marshimin e unitetit.

Mijëra njerëz që ishin mbledhur në sheshin kryesor të Parisit, duartrokitën e brohoriten këtë parakalim të përfaqësuesve shqiptarë të të gjitha feve së bashku.

Top Channel