“Delegacioni shqiptar ishte fytyra e ndritshme e të gjithë ceremonisë në Paris”

11/01/2015 00:00

Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman shqiptar dhe Myftiun e Tiranës, Ylli Gurra, i cili mori pjesë në Paris në marshimin e sotëm tregon emocionet që ndjeu dhe krenarinë për vlerat e bashkëjetesës fetare që Shqipëria përçoi edhe sot në kryeqytetin Francez.

Zoti Gurra u shpreh se marshimi i ditës së diel në rrugët e Parisit ishte një dëshmi e asaj që Islami nuk ka asnjë lidhje me dhunën apo promovon atë, por e kundërta.

***

“Ka qenë madhështore prezenca dhe paraqitja e delegacionit qeveritar dhe e komuniteteve fetare, si dhe e komunitetit mysliman, i cili është edhe komuniteti më i madh. E veçanta në një fjali të vetme është: Delegacioni shqiptar sot ka qenë fytyra e ndritshme e të gjithë ceremonisë, për gjatë të gjithë kortezhit. Jemi duartrokitur për gjatë gjithë kohës me brohoritjet “bravo” apo “faleminderit”. Ka qenë diçka e jashtëzakonshme. Personalisht jo vetëm e kam përjetuar, por ka qenë një ndjesi e papërshkruar krenarie”, ka thënë zoti Gurra.

TCH: Në atë çfarë ju keni parë gjatë marshimit, a mendoni se njerëzit që kishte mbushur rrugët e Parisit janë dakord që feja islame nuk ka lidhje me terrorizmin? E kanë kuptuar këtë gjë?

Ylli Gurra: Absolutisht po, prezenca e mbi një milionë qytetarëve në Paris dëshmoi këtë gjë. Ecja jonë së bashku përkrah qytetarëve tregoi një fytyrë tjetër të Islamit. Ishte një dëshmi e asaj që Islami nuk ka asnjë lidhje me dhunën apo promovon atë, por e kundërta. Solidariteti që u tregua sot ishte një shprehje e çiltërsisë së qytetarëve francezë dhe përtej tyre. Prezenca e komuniteteve fetare nga Shqipëria është një vlerë mbi çdo vlerë tjetër. Sot dhuna, krimi, makabriteti është mundur dhe është zhdukur thellë në hendekun e injorancës së atyre që i kanë kryer këto akte.  

Top Channel