Italia kërkon Shërbimin Sekret të BE-së

11/01/2015 00:00

Njoftime shqetësuese mbërrijnë nga Shërbimet Sekrete, të cilat paralajmërojnë sulme në mbarë kontinentin e vjetër.

Sipas tyre, goditja e përgjakshme e revistës “Charlie Hebdo” dhe sulmi në supermarketin hebraik mund të kenë qenë vetëm fillimi i një vale terrorizmi në të gjithë Europën. Sipas gazetës gjermane “Bild am Sonntag”, e cila iu referohet ekspertëve të Shërbimeve Sekrete amerikane, specialistët e përgjimit të shërbimit sekret Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) kanë regjistruar menjëherë pas masakrave të Parisit biseda telefonike të udhëheqësve të xhihadistëve të ISIS-it.

Në bisedat e përgjuara të krerëve të Shtetit Islami përmendet një valë më e gjerë terrori, përtej kufijve të Francës. Në shënjestër mund të jenë disa kryeqytete europiane, ndër të cilat përmendet sidomos Roma. Megjithatë, nuk përmenden plane konkrete.

Kryeministri italian Matteo Renzi kërkoi si përgjigje ndaj dhunës islamike në Francë krijimin e një shërbimi sekret të BE-së.

“Ne kemi një monedhë të përbashkët, dhe kemi nevojë për një agjenci të përbashkët të shërbimit sekret. Europa duhet të jetë e bashkuar kundër terrorizmit”, tha Renzi.

Shërbimet Sekrete perëndimore janë të shqetësuara sidomos për faktin, se atentatorët e Parisit janë ndoshta pjesë e një rrjeti më të gjerë terrorist. Hetuesit amerikanë duhet të ketë dëshmi se vëllezërit Cherif dhe Said Kouachi kanë pasur kontakte në Holandë.

Edhe ekspertët gjermanë të sigurisë besojnë se autorët e krimit ishin të ndikuar nga jashtë dhe kanë qenë të lidhur me islamikë të tjerë militante. Shërbimi Sekret britanik “MI5” mësohet të kenë paralajmëruar autoritetet gjermane të sigurisë për sulme te mundshme ndaj avionëve me eksplozivë që nuk zbulohen nga detektorët në aeroporte. Shkak mund të jetë një instruksion për ndërtimin e bombave i publikuar kohët e fundit në internet nga Al-Kaeda.

Top Channel