Terroristja e dyshuar “shfaqet” në Stamboll. Francë, 10 mijë trupa shtesë për sigurinë

12/01/2015 00:00

Teksa Franca vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj terrorizmit, kamerat e aeroportit të Stambollit dyshohen të kenë fokusuar në datën 2 janar Hayat Boumeddiene, partneren e atentatorit të supermarketit.

Por, nëse verifikohet që vajza e aeroportit ishte pikërisht Boumeddiene,
përforcohet pista se ajo nuk ka qenë fare pjesë e sulmeve terroriste në
Francë, pasi vendndodhja e saj mendohet të jetë në Siri krah ISIS.

Ndërkohë, qeveria franceze është duke mobilizuar 10.000 trupa për forcimin e masave të sigurisë pas sulmeve vdekjeprurëse të javës së kaluar e me mijëra policë do të dërgohen për të mbrojtur shkollat hebraike.

Ministri i Mbrojtjes Jean-Yves Le Drian pohoi se ushtarët do të dislokohen që mbrëmjen e së martës në zonat me rrezikshmëri më të lartë.

Kjo përbën të parën herë që ka të tilla lëvizje ushtarake të këtyre përmasave brenda Francës, por për Le Drian masat ishin të nevojshme sepse kërcënimi mbetet real.

Urdhërin e dislokimit të trupave e dha presidenti Francois Hollande gjatë mbledhjes urgjente të ministrave të kabinetit, boshtin e së cilës e ka përbërë siguria kombëtare pas episodeve të dhunës që tronditën vendin e mbarë botën perëndimore.

Takimi erdhi në mesin e pyetjeve sesi mundën militantë të njohur për autoritetet e rendit të organizonin goditje të tilla në Paris. Përse munguan informacionet e inteligjencës që mund të kishin parandaluar masakrën në zyrat e revistës satirike ‘Charlie Hebdo’, vrasjen e oficeres 26-vjeçare Clarisa Jean-Ohilipe, sulmin në supermarketin hebraik ku humbën jetën 4 vetë.

Përpos kryeministrit Manuel Valls dhe ministrit të Brendshëm Bernard Cazeneuve, në mbledhjen me presidentin ishin të pranishëm edhe krerët e policisë dhe shërbimeve të sigurisë.

Po në të njëjtën kohë në Londër, kryeministri David Cameron është duke u konsultuar me zyrtarë të lartë të shërbimeve të inteligjencës e të sigurisë mbi reagimin që do të ketë Britania ndaj sulmeve në Francë.

Valls e pranoi se ka pasur dështime kur u bë e qartë se tre personat e përfshirë në incidentet e dhunshme: Said e Cherif Kouachi dhe Amedy Coulibaly kishin lidhje me ekstremizmin e nuk ishin të panjohur për policinë.

Vëllezërit Kouachi rezultojnë që të dy në listat britanike e amerikane të të dyshuarëve për terrorizëm që duhen mbajtur nën vëzhgim, ndersa Coulibaly ishte dënuar për komplotin e lirimit nga burgu të një militanti të njohur. Coulibaly ishte takuar me Cherif Kouachi pikërisht gjatë kohës së kaluar prapa hekurave.

Sipas ministrit të Brendshëm Cazeneuve, Franca do të jetë në gjendje alarmi përgjatë gjithë javëve në vazhdim. Ai drejtoi mëngjesin e së djelës takimin e homologëve nga e gjithë Europa, përfshirë ministren e Brendshme britanike Theresa May, kryefjala e të cilit ishte kërcënimi nga ekstremizmi.

Pas takimit, ministrat lëshuan një deklaratë të përbashkët ku thuhej se, për të luftuar aktet e terrorit do të nevojitet rritje e kontrollit në internet dhe një mbikëqyrje më e kujdesshme kufitare.

Top Channel