Vlorë, grabitësit plagosin dy vëllezër, pas thirrjes “Jemi policia”

12/01/2015 00:00

Dy vëllezër janë plagosur me armë nga dy persona, që hynë për të grabitur në banesën e tyre. Ngjarja u shënua në fshatin Llakatund të Vlorës, në familjen Torraj, gjatë orëve të mbrëmjes së të dielës.

Dy persona të armatosur dhe të maskuar hynë në banesë për të grabitur, por plani i tyre nuk u realizua, pasi kryefamiljarët, dy vëllezërit Dane dhe Resmi Torraj, janë përleshur me dy grabitësit. Pas përleshjes janë përdorur armët dhe, për pasojë, dy vëllezërit u plagosën.

“Dy veta erdhën të maskuar dhe me armë, na thanë të mos lëviznim se do qëllonin, duke u justifikuar se ishin të policisë. Në atë moment m’u ngritën fëmijët nga gjumi, ndërkohë që unë u përlesha me njërin prej tyre, i cili më goditi me thikë, ndërsa tjetri më qëlloi me pistoletë. Më pas doli vëllai nga dera tjetër për të ndihmuar, por sapo doli e qëlluan edhe atë. U larguan pa mundur të marrin gjë”, tha Resmi Torraj.

Plumbat i kanë goditur në këmbë dhe në bark, por fatmirësisht të dy janë jashtë rrezikut për jetën. Të dy vëllezërit kishin qenë më herët emigrantë në Greqi dhe janë rikthyer.

Top Channel