Strazimiri: Më kërcënuan me jetë. Ndreu: Nuk e qëllova, vetëm iu afrova

12/01/2015 00:00

Deputeti demokrat Gent Strazimiri dëshmoi në Gjykatën e Lartë, për llogari të procesit penal që ka nën akuzë dy deputetët socialistë, Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka, se e kanë goditur atë për shkak të detyrës, pas një fjalimi të mbajtur në Parlament.

Strazimiri i tha Gjykatës së Lartë se ai jo vetëm ishte goditur, por edhe ishte kërcënuar nga dy deputetët se do ta vrisnin, madje – sipas tij – deputeti Ndreu ishte shprehur se ishte gati të hiqte dorë nga mandati, e atë ta vriste.

Gjithashtu në gjykatë dëshmoi për çfarë ndodhi në korridoret e Parlamentit edhe deputeti Genc Pollo.

“Sot pas 6 muajsh kemi një dokument të Parlamentit Europian, i noterizuar me firmën e përfaqësuesve të kryeministrit, që Parlamenti ka nevojë të dekriminalizohet, e që do të thotë se ka kriminelë brenda. Për mendimin tim personal, cilido qoftë vendimi i gjykatës, nuk do të jetë zgjidhja përfundimtare e problemit, sepse mendoj që problemi nuk janë dy deputetët që iu përgjigjën urdhrit të kryeministrit për të kryer dhunën ndaj opozitës, por janë 17 të tjerë që ende nuk e kanë bërë këtë veprim”, tha deputeti Strazimiri.

TCH: Sipas jush, a ka bërë hetime mjaftueshëm Prokuroria shqiptare në lidhje me këtë episod, duke qenë se Strazimiri dha një detaj të ri të panjohur më parë për publikun, që bën fjalë për kërcënimin me jetë të tij?

“Procesi gjyqësor është një pjesë paralele e dekriminalizimit. Rasti që po gjykohet është një vitrinë e problemit të thellë që është krijuar në 14 muajt e fundit”, u shpreh deputeti Genc Pollo.

E ndërsa deputeti nën akuzë Arben Ndoka nuk u paraqit, deputeti Pjerin Ndreu ishte i pranishëm. Për të, dëshmia e Strazimirit është kontradiktore.

“Gjykata nuk mund të më gjejë fajtor sipas mendimit tim, edhe pse nuk kam pse paragjykoj një vendim gjykate, sepse unë nuk kam kryer veprime goditjeje, por vetëm e kam prekur, i kam tërhequr vëmendjen dhe kjo është e gjitha”, deklaroi deputeti Ndreu.

Në gjykatë dëshmuan edhe dy gardistë, deklaratat e të cilëve me fraza se ‘çfarë nuk shohim ne të ndodhë në Parlament’, jo vetëm që i bëri kuriozë gjyqtarët për të mësuar se çfarë nuk dinë ata, por shkaktoi edhe një situatë komike.

Në fakt, ky proces me deputetë kishte përballë gjithashtu një gjykatë, që gjatë seancës e harroi solemnitetin dhe u fliste si dëshmitarëve edhe të pandehurve me emra të shkurtuar. Seanca e radhës është në datën 9 shkurt, ku pritet të dëshmojnë tre deputetë të tjerë, të cilët kësaj radhe nuk e kishin përfillur ftesën e gjykatës.

Dy deputetët janë kallëzuar penalisht nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, pas ngjarjes së ndodhur më 14 korrik në mjediset e Kuvendit.

Top Channel