Kandidatja e opozitës Kolinda Grabar-Kitaroviç është bërë presidentja e parë femër në Kroaci, pasi arriti një fitore të ngushtë në zgjedhjet presidenciale.

Ajo siguroi 50.5 për qind të votave me 99 për qind të votave të numëruara, ndërsa rivali i saj Ivo Josipoviç arriti në 49.5 për qind. Zoti Josipoviç ka pranuar humbjen dhe ka uruar zonjën Kitaroviç.

Fitorja e saj mund të jetë një shenjë se Kroacia mund të jetë duke anuar djathtas, pas dështimit të koalicionit të qendrës së majtë për të çuar deri në fund mandatin 6-vjeçar.

Zgjedhjet presidenciale ishin një test kyç për partitë kryesore në prag të atyre të përgjithshme që pritet të mbahen nga fundi i 2015-s. Hendeku mes dy kandidatëve mbeti në rreth 1 për qind përgjatë pjesës dërrmuese të raundit të dytë.

Zonja Kitaroviç është një anëtare e partisë konservatore Unioni Demokrat Kroat, që shtyu vendin drejt pavarësisë nga Jugosllavia në vitin 1991. Gruaja 46-vjeçare është ish-ministre e Jashtme dhe asistente e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.

“Unë nuk do të lejoj asnjë që të më thotë se Kroacia nuk do të prosperojë”, tha ajo para mbështetësve të mbledhur në Zagreb, prej nga bëri thirrje për unitet kombëtar për të frenuar krizën ekonomike.

Zoti Josipoviç nga ana tjetër, një ekspert i fushës juridike dhe kompozitor i muzikës klasike, ka qenë president që prej vitit 2010. I dërguari i BBC thotë se 57-vjeçari kishte qenë aq shumë popullor saqë dukej e pamundur që të mos rizgjidhej.

Problemi i tij ishte se mbështetej nga qeveria e koalicionit të qendrës së majtë, që nuk arriti ta nxirrte Kroacinë nga reçesioni i gjatë 6-vjeçar.

Top Channel