“Topi i Artë”, konferenca për shtyp e finalistëve. Ronaldo: I ftoj rivalët në ekipin tim

12/01/2015 00:00

Portieri i Bayern Munchen dhe i kombëtares së Gjermanisë, Manuel Neuer, sulmuesi i Barcelonës dhe i Argjentinës, Lionel Messi, dhe sulmuesi i Real Madridit e Portugalisë, Cristiano Ronaldo, kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët për shtyp përpara dorëzimit të trofeut “Topi i Artë 2014” gjatë ceremonisë së mbajtur në “Kongresshaus” në Zyrih këtë të hënë.

Cristiano Ronaldo, duke e nisur fjalën e tij me Botërorin, u shpreh: Mendoj se ishte një Kupë Bote shumë e mirë, si nga organizimi edhe nga zhvillimi pa probleme. Ekipi më i mirë arriti të triumfonte në fund dhe të ngrinte trofeun, pikërisht gjermanët. Për Portugalinë nuk ishte diçka kaq pozitive, e megjithatë kryesorja është se gjithçka shkoi pa probleme. Ka shumë faktorë që merren në konsideratë. Mendoj se Gjermania vinte me një rekord vazhdueshmërie thuajse perfekt. Ata erdhën në gjendje optimale dhe fituan, ndërsa Portugalia bëri gabime, ndaj shpresoj që gjërat të shkojnë edhe më mirë në të ardhmen.

Sa i përket teknologjisë në futboll, “mendoj se gjithçka që mund të ndihmojë në bërjen e futbollit një sport edhe më të bukur është e mirë dhe e rëndësishme, jo vetëm për ne por edhe për spektaklin gjithashtu”. Ndërsa i pyetur në lidhje me trajnerin me kontributin më të madh në karrierën e tij, që e ka ndihmuar të bëhet ai superlojtar që është sot, Ronaldo shprehet se “nuk do të ishte e drejtë të zgjidhja njërin prej tyre. Të gjithë kanë qenë të rëndësishëm në zhvillimin tim si lojtar dhe u detyrohem të gjithëve mirënjohje”.

Lionel Messi ka folur gjithashtu për Botërorin, por edhe për objektivat sezonalë të çdo viti: Botërori i Brazilit ka qenë një shfaqje për t’u shijuar nga të gjithë ata që patën mundësinë ta ndjekin. Unë isha i fokusuar tek Argjentina, kemi udhëtuar shumë, por nuk kemi hasur asnjë problem. Ishte një gjë tepër pozitive, pavarësisht rezultatit të ndeshjes finale.

Për ecurinë në klube, “pleshti” shton se “çdo vit kemi të njëjtat objektiva. Duam të fitojmë çdo kompeticion ku marrim pjesë. Është e vështirë, por duhet të luftojmë si në klubin katalanas, ashtu edhe me Argjentinën, pasi ne kemi për të zhvilluar edhe Kupën e Amerikës. Pas Botërorit, ndoshta ne mund të ndihemi shumë më mirë si argjentinas me këtë turne”. Ylli i Barcelonës nuk i ka kursyer fjalët as për rivalin e tij të drejtpërdrejtë, portugezin e Realit. “Ajo që ka bërë Cristiano gjatë këtij sezoni ka qenë me të vërtetë impresive, pasi ka pasur një vit të jashtëzakonshëm”.

Ndërsa Manuel Neuer duket se është disi i veçuar, jo për shkak të vlerave të tij si futbollist në rolin që mbulon, por pikërisht për këtë të fundit: ai nuk është një sulmues, por një portier. E megjithatë ai ka mbi supe një peshë më të rëndë në këtë garë finale të “Topit të Artë”, pasi është shpallur kampion bote me Gjermaninë.

“Të fitosh një Botëror është bërë gjithnjë e më e vështirë. Brazili krijoi një atmosferë të jashtëzakonshme, ndaj ishte një kënaqësi po aq e madhe të luaje atje. Sigurisht, kur ti fiton jo vetëm një ndeshje, por edhe kompeticionin, kjo është një ndjesi edhe më e bukur”, thotë Neuer.

Ajo që ra në sy më shumë në konferencën e përbashkët për shtyp ishte “propozimi ëndërrimtar” i portugezit Ronaldo.

“Do të ishte diçka e mrekullueshme sikur ne të tre të ishim së bashku në të njëjtin ekip. E rëndësishme është se ajo që vlen më shumë është e tashmja. Legjendat e futbollit në të kaluarën, por edhe lojtarët e mëdhenj ne i kujtojmë gjithmonë në Portugali. Ende nuk mund ta përcaktoj se çfarë do të ndodhte sikur ne të tre që jemi në këtë skenë të luanim bashkë, do të doja t’i ftoja të luanin në ekipin tim”.

Top Channel