Rama: Shqipëria e cënuar nga fondamentalizmi

12/01/2015 00:00

Siç edhe ishin në Paris, po ashtu edhe në Sallën e Hartave në Kryeministri, klerikët e të gjitha besimeve fetare u uluën në karhë të njëri-tjetrit, së bashku me përfaqësues të medias dhe disa ministra të ftuar nga kryeministri Edi Rama.

Qëllimi i këtij takimi, tha Rama, është çelja e një bashkëbisedimi mes qeverisë, klerikëve dhe medias për të gjetur rrugët e rritjes së vlerës që mbart vëllazëria fetare në Shqipëri.

“Në kushtet e kësaj urrejtjeje e dhune ndaj vlerave universale të demokracisë, fesë dhe Evropës, Shqipëria është në një pozicion dyfish sfidues. Ajo është e dobët dhe mjaft e cënueshme nga fondamentalizmi islamik, siç është fatkeqësisht e cënueshme nga mundësia e një vale islamofobe edhe nën efektin e ekstremizmit të djathtë evropian”, deklaroi Rama.

Rama shprehu shqetësimin e tij edhe për komentet e disa shqiptarëve në rrjetet sociale për masakrën në revistën “Charlie Hebdo”.

“Kam ndjekur me trishtin disa reagime fatmirësisht të pakta, por jo joshqetësuese shqiptarësh në rrjetet sociale, që në mënyrë të pakuptueshme justifikojnë masakrën në Paris me faktin se “Charlie Hebdo” është tallur me profetin. Ky opinion i trishtueshëm, pa lidhje me jetën dhe porositë e profetit Muhamed, meriton një reflektim serioz. Është një opinion që sado në minorancë nuk duhet nënvlerësuar nëse nuk duam që ai të deformojë besimin, bindjet dhe sjelljen, qoftë edhe të një fëmije të sotëm të Shqipërisë së nesërme”, theksoi Rama.

Kryeministri dha edhe një mesazh për ata që përdorin gjuhë radikale në të tilla komente. “Besoj se asnjë shqiptari nuk i takon të fyejë besimin e vetë duke u kthyer në kërcënim për besimin e tjetrit. Fyen profetin e tij çdo shqiptar mysliman që justifikon me karikaturat e një reviste kasaphanën e Parisit, ashtu siç fyen profetin e tij çdo shqiptar i krishterë, që atë kasaphanë e konsideron justifikim për të shfryrë mllef ndaj islamit”, u shpreh Rama.

Sipas shefit të qeverisë shqiptare, një tjetër shqetësim përbën mungesa e informacionit për fenë tek brezat e rinj. “Për mungesën e madhe të njohjes së të vërtetave të librave të shenjtë dhe humbjen e ndjeshme të sensit të vlerave të lirisë, parimeve themelore të demokracisë tek shumë të rinj shqiptarë. Edhe kjo kërkon një analizë të thellë, por e sigurt është se qeveria, komunitetet fetare dhe mediat kanë një boshllëk të madh për të mbushur në këtë drejtim, në kuptimin e edukimit shoqëror me të vërtetat dhe vlerat e lartëpërmendura”, tha Rama.

Për të gjithë ne, shtoi kryeministri, lipset promovimi i vlerave europiane, sepse kështu luftohet terrorizmi, “vetëm duke ruajtur vlerat tona e menduar sikur s’ka terrorizëm”.

Top Channel