Kosovë, vazhdojnë përplasjet për ministrin serb

12/01/2015 00:00

Në Kosovë vazhdojnë përplasjet mes Avokatit të Popullit dhe kryeministrit Isa Mustafa për deklaratën e ministrit serb Aleksandër Jabllanoviç, se qytetarët e gjakovës janë egërsira.

Avokati i Popullit Sami Kurteshi, nëpërmjet një komunikate i ka kërkuar kryeministrit Mustafa që ta shkarkojë ministrin serb nga çdo post në institucionet e Kosovës, për shkak të përdorimit të gjuhës së urrejtjes ndaj një grupi të caktuar njerëzish, si dhe për shkak të mohimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Në të kundërt, ka vlerësuar Kurteshi, mungesa e masave ndaj ministrit Jabllanoviç do të jetë një shembull i dështimit. Reagimi i Kurteshit vjen dy ditë pasi kryeministri Mustafa kritikoi Avokatin e Popullit se po merrej me komente të deklaratave politike në vend që të kryente punët e tij.

Në përgjigje të kësaj deklarate, Kurteshi të hënën i ka kujtuar kryeministrit se ligji për Avokatin e Popullit parasheh që një ndër përgjegjësitë e tij është “të bëjë të njohura të drejtat e njeriut dhe përpjekjet për të luftuar të gjitha format e diskriminimit përmes ngritjes së vetëdijësimit, posaçërisht përmes informimit dhe edukimit edhe me anë të mediave”.

“Është tepër ironik fakti që kryeministri Mustafa pretendon të udhëzojë Avokatin e Popullit në përmbushjen e detyrave të tij, kur vetë ai ose nuk do, ose nuk di, ose nuk guxon të përmbushë detyrimet dhe përgjegjësitë e tij si kreu i qeverisë. Përndryshe, Avokati i Popullit në punën e tij profesionale nuk pranon asnjë ndërhyrje, nga askush, qoftë edhe nga kryeministri Mustafa”, thuhet në deklaratën e Kurteshit.

Avokati i Popullit e cilëson devijim të qëllimshëm dhe cinik përpjekjen e zotit Mustafa që reagimet ndaj deklaratave të ministrit Jabllanoviç t’i orientojë në një debat mbi “pjesëmarrjen në qeveri të serbëve që kanë lindur apo atyre që jetojnë në Kosovë”.

Debati ka nisur pasi kryeministri Mustafa nuk mori masa ndaj  ministrit serb i cili për Krishtlindjet Ortodokse i quajti “egërsira” qytetarët e Gjakovës për shkak se ata nuk lejuan shkuarjen e serbëve atje.

Kundër Jabllanoviç janë organizuar edhe protesta në Gjakovë. Nuk përjashtohet fakti që ato të zbresin në kryeqytet nëse qeveria nuk e ndëshkon atë.

Top Channel