Dobrun, fshati që “burgoset” në dëborë

12/01/2015 00:00

Lëmë pas Krumën dhe nga asfalti devijojmë djathtas drejt komunës Golaj. Rruga është vështirë për t’u kaluar për shkak të borës dhe ngricave. Destanacioni ynë është pika fundore e tokës shqiptare, një fshat kufitar me Gjakovën, që ndryshe nga të tjerët, në këtë periudhë përballet me një situatë të pazakontë.

“Dimri sapo ka zënë fill e këtyre anëve koha tani ndalon, sepse fshati Dobrun në Rrethin e Hasit asnjë vit nuk i shpëton izolimit nga dëbora”.

“Deri në dy javë ka pasur raste që kemi ngelur të bllokuar këto vitet e fundit, përjashto dimrin e shkuar që nuk ra edhe aq shumë borë. Çdo vit ne këtu izolohemi. Ka raste që fshati izolohet shumë herët, ndërsa herë të tjera me të filluar dhjetori”, thotë një banor.

Dobruni është një fshat shumë i vogël, i populluar nga 36 familje, në total 245 banorë. Fati i tyre është peng i një rruge 7 kilometërshe, në të cilën askush nuk e ka parë me interes të investojë.

Në fshat mbizotëron heshtja. Ndërsa banorët i gjejmë të kyçur në hallet e tyre.

Hate Mulaj, një prej pak banoreve të fshatit, është kryefamiljarja e shtëpisë. Burri e ka lënë shumë herët, ndërsa i biri është ndarë tragjikisht nga jeta rreth 4 vite më parë. 73-vjeçarja jeton me nusen dhe tre fëmijët e saj në kushte shumë të vështira. Ndërsa dimri, që sivjet duket se ka nisur egër, ua ka bërë edhe më të pamundur jetesën. Sapo kanë dalë nga izolimi i parë për këtë vit, ku bora i bllokoi deri te pragu.

“Ka gati dy javë, mund të them pak para Vitit të Ri”, thotë Hatja.

Së paku shtëpisë i duhet të sigurojë ushqimin për çdo rast…

“Me zor kemi marrë ushqime dhe miell që më përpara. Por gjithsesi jo për të gjithë dimrin”, shton më tej kryefamiljarja e moshuar.

Dhe kryesorja, për të mbijetuar në kushte të jashtëzakonshme është buka. Një ushqim që kjo shtëpi e konsumon shumë.

Mirjeta është vajza e madhe e shtëpisë. Është vetëm 10 vjeç dhe ditët e bllokimit nga dëbora për të janë ditë ferri. Ajo duhet të kyçet nga gjithçka e të kthehet prej nevojave në një shtëpiake.

“Ja rri në shtëpi, por mërzitem sepse nuk shkoj në shkollë për aq ditë sa zgjat bora. Shkolla nuk është dhe aq larg për ne, por unë rri e bëj punë, ndihmoj mamin. Luaj ndonjëherë me lojëra të thjeshta me motrën”, thotë Mirjeta.

Kjo është rutina e një vogëlusheje, që kohën e saj më të mirë duhet ta kalonte me libra dhe lojëra.

“Nuk ka asgjë që mund t’ua ndryshojë fatin këtyre banorëve kur bora zë e shtron. Ndaj, me vetëdije të plotë, ata nisin të bëhen gati që në vjeshtë për izolimin e tyre të radhës dhe së paku mundohen të sigurojnë drutë për ngrohje e ushqimet bazë, për t’i mbijetuar kështu një tjetër dimri të egër”.

“Me ato pak mundësi që kemi, i mbledhim forcat tona, ushqimin për vete dhe për bagëtitë, drutë për ngrohje etj, për periudhën e dimrit”, thotë Iliri.

Edhe ajo familje që nuk ka mundësi financiare, duhet të marrë hua për të siguruar planin e emergjencës për dimrin.

“Në të vërtet është shumë keq, dimret janë shumë të vështira, por i kemi marrë nga pak masat. Na kanë ndihmuar vëllezërit, kushërinjtë e kush të mundet”, thotë Jashari.

Megjithëse e dinë se, ku më herët e ku më vonë do të bien në izolim, ka edhe të papritura.

“Jemi penguar këtë radhë për Vit të Ri. Është bllokuar rruga dhe nuk kemi festuar mirë festat, kemi ndenjur 6-7 ditë me rrugën e bllokuar, nuk kishim nga të shkonim”, rrëfen Jashari.

Në shtëpinë e Ilir Mulajt, masat për dimrin janë marrë mirë. Mish të tharë, perime të konservuara, mielli i bukës gjithashtu, por për Vitin e Ri bora – që bllokoi befas fshatin – i la duke festuar jo në mënyrë dinjitoze.

“Realisht nuk kishim blerë as gjërat më elementare të Vitit të Ri. Prej neglizhencës prisnim, kur ia futi bora dhe deri në datë 2 mbetëm të izoluar. Fadroma nuk erdhi të zhbllokonte rrugën kur duhej, por vetëm pas Vitit të Ri. E festuam me çfarë kishim gjendje”, tregon Iliri.

“Të mos flasim vetëm për Vitin e Ri, por edhe për rastet e sëmundjeve. Nusja e vëllait ka lindur në Golas dhe ndenji një javë atje, nuk erdhi këtu të festonte Vitin e Ri”, thotë Jashari.

Në fakt, rastet e sëmundjeve janë e vetmja gjë, që banorët nuk i bëjnë dot pritë gjatë. Në izolimin e tyre të fundit dy javë më parë, ky vogëlush ka luftuar me jetën. Dhe po të mos ishte për gjyshin e burrave të tjerë të fisit, që çanë rrugën në këmbë, ndoshta ai sot nuk do të jetonte.

“E kemi marrë në telefon mjekun. Kemi shkuar në këmbë deri në Krumë për të marrë ilaçet. Fëmija i djalit ka shpëtuar për mrekulli të Zotit. Nipi kishte temperaturë e ftohje”, thotë më tej Jashari.

Solidariteti është e vetmja garanci që këta njerëz kanë, kur natyra u vërsulet tërbimthi.

“Thjesht bashkohemi të gjithë bashkë dhe me sa mundësi të kemi e marrim njeriun në krahë për ta çuar poshtë”, tregon sërish Iliri.

Po të ishte prej fadromës së komunës, fati i banorëve do të ishte në pikëpyetje…

“Fadroma ka ardhur shumë me vonesë, në krye të 7 ditëve. Por pas 7 ditësh fëmija vdes, e ka të pamundur”, thotë Jashari.

E ndërsa presin të dalin nga izolimi kur bien në të, jeta e banorëve ngrin bashkë me të.

“S’kemi shkuar kurrkund, nga këtu e deri te lopa”, thotë Hatja.

“Thjesht ndonjë vizitë të shkurtër te njëri apo tjetri prej miqve më të afërt”, shton Iliri.

E për aq kohë sa jeta rri në këtë rutinë, këta njerëz dimërojnë ditët të kyçur mes borës e maleve, duke pritur që natyra të çelë portat e tyre.

Top Channel