PD: Rama, presion fjalës së lirë dhe mediave

12/01/2015 00:00

Partia Demokratike ka akuzuar sërish kryeministrin Rama, se teksa gjetkë promovon fjalën e lirë, në vend e cënon atë maksimalisht duke e zëvendësuar me presione.

“Për më shumë se një orë predikoi lirinë e shprehjes, por nuk gjeti asnjë minutë për të dënuar apo për t’u distancuar nga kërcënimi që i është bërë kryetarit të opozitës, pikërisht për fjalën.

Predikon lirinë e shprehjes ndërkohë që përgenjështron veten e tij në çdo hap që hedh. Edi Rama është ai që organizoi goditjen fizike ndaj deputetit të opozitës, pikërisht ngaqë nuk përballon lirinë e shprehjes.

Është ai që frymëzon kërcënimin me jetë të përfaqësuesve të opozitës, sepse ai nuk e duron dot lirinë e shprehjes. Ndaj ka sjellë në administratë, zyra e deri në Parlament, persona të inkriminuar, ata që janë errësira, e kundërta e lirisë së shprehjes.

Ndaj Edi Rama ofron lehtësi e favore qeveritare për banditë të cilët lirinë që e kanë të sigurt nga qeveria e shfrytëzojnë për të kërcënuar fjalën e lirë.

Me Edi Ramën liria e të shprehurit po zëvendësohet nga presioni i gjithanshëm ndaj mediave, zërave kritikë e shoqërisë civile”, deklaroi zëdhënësja Oriela Nebiaj.

Top Channel