Gjendet kutia e zezë e avionit “AirAsia”, informacione mbi kushtet e avionit para rrëzimit

12/01/2015 00:00

Pas disa përpjekjesh, polumbarët indonezianë arritën të nxjerrin njërën pjesë të kutisë së zezë të “AirAsia”-s së rrëzuar në ujrat e detit Java. Regjistruesi i të dhënave është rikuperuar tashmë, por ai i zërit vazhdon të mbetet poshtë pjesëve të copëtuara të “Airbus-it A320-200”, e zhytësit nuk e arrijnë dot.

Pjesa hermetike në duart e hetuesve ofron informacione mbi kushtet e motorit, atë çfarë pilotët ishin duke bërë përpara aksidentit, tregon nëse avioni është bllokuar dhe në ç’lartësi ka qenë në ato momente. Është me pak fjalë një zinxhir informacionesh, mbi çdo gjë që ka ndodhur në bordin e fluturimit QZ8501 dhe ka një rëndësi kyçe, përsa i takon zbardhjes së shkaqeve të fatkeqësisë ajrore.

Zyrtarët indonezianë e kanë deklaruar publikisht se të dhënat e kutisë së zezë do t’i analizojnë ata vetë, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që në proces të përfshihen edhe ekipet ndërkombëtare.

Ekspertët e aviacionit presin një raport paraprak deri në fund të muajit, ndërsa përmbledhja e detajuar e rezultateve të hetimit duhet të jetë gati brenda vitit. Autoritetet indoneziane kanë qenë nën një presion të jashtëzakonshëm për të gjetur arsyet e aksidentit.

Ekipet e kërkimit kishin diktuar sinjale nga kutia e zezë e avionit që të premten, por ajo nuk rezultoi aty ku mendohej, sepse ishte shkëputur nga bishti. Përpjekjet vazhdojnë sakaq për të nxjerrë nga uji pjesën kryesore të avionit, ku mendohet të kenë mbetur të bllokuar pjesa më e madhe e viktimave.

Deri tani nuk janë rikuperuar veçse 48 trupa. Shkaqet e rrëzimit mbeten ende një mister dhe gjithë çfare dihet aktualisht është se fluturimi QZ8501  kishte hasur në turbulenca ajrore për shkak të motit të keq, e pati kërkuar të ndryshonte rrugë përpara se komunikimi me pilotët të ndërpritej.

Top Channel