Gjermani, Pegida sfidon politikën. Tjetër miting anti-islam

12/01/2015 00:00

Mijëra protestues janë mbledhur këtë të hënë në Dresden të Gjermanisë për një tjetër miting kundër islamizmit, pak ditë pas sulmeve terroriste në Paris.

Mitingu u mblodh pavarësisht apeleve të klasës politike gjermane që manifestuesit të qëndronin në shtëpi. Ministri i Drejtësisë, Heiko Maas kishte apeluar që qytetarët të mos i bashkoheshin tubimit të grupit Pegida.

Ai i kishte bërë thirrje me zë të lartë grupimit në fjalë që të mos i keqpërdorte ngjarjet ndaj “Charlie Hebdo” dhe dyqanit hebraik në kryeqytetin francez.

Megjithatë, mitingu u zhvillua, me pjesëmarrësit që u mblodhën në qytetin lindor duke mbajtur parulla me të cilat shprehnin solidaritet me karikaturistët francezë të vrarë nga militantët islamikë. Gjithashtu, një minutë heshtje u mbajt në nder të tyre.

Në një miting të javës së kaluar, Pegida, siç njihet ndryshe grupimi Patriotët evropianë kundër islamizimit të Perëndimit, mblodhi 18 mijë manifestues. Por një anti-miting i organizuar nga autoritetet lokale të Dresdenit ditën e shtunë mblodhi rreth 35 mijë persona.

Këtë të hënë, protestues të tjerë organizuan një anti-tubim kundër Pegida-s në Berlin dhe po në Dresden, por në zona të tjera të qytetit për të shmangur një përplasje.

Ndërkohë, kancelarja Angela Merkel paralajmëroi se të martën do të marrë pjesë në një miting të organizuar nga komuniteti mysliman në Berlin kundër vrasjeve në Paris.

Nënkancelari Sigmar Gabriel dhe ministra të tjerë pritet të jenë gjithashtu të pranishëm. “Islami është pjesë e Gjermanisë dhe unë jam kancelare e të gjithë gjermanëve”, tha zonja Merkel.

Top Channel