“Shqip”, Unë jam europian

12/01/2015 00:00

Sulmet në Paris tronditën jo vetëm Francën, por mbarë botën që tregoi solidaritet dhe i dërgoi një mesazh të fortë terrorizmit me marshimin e Unitetit të dielën në kryeqytetin francez.

Simbolika e delegacionit shqiptar, kur katër përfaqësues të feve të ndryshme parakaluan krah për krah dhe vendosën lule në nderim të 17 viktimave të pafajshme, u vlerësua gjërë e gjatë. Pikërisht këtyre ngjarjeve dhe a është e rrezikuar Shqipëria nga ekstremizmi dhe fanatizmi fetar iu kushtua emisioni Shqip me gazetaren Rudina Xhunga në takimin e kësaj të hëne.

I ftuar në pjesën e parë ishte edhe Ambasadori francez në Tiranë, Bernard Fitoussi, i cili u ndal fillimisht tek marshimi i Unitetit i së dielës.  

“Të dielën ndodhi diçka e padëgjuar më parë, që nuk është parë në asnjë vend tjetër, as në Francë; një popull i ngritur në këmbë, me qetësi për të ecur me dëshirën për të shprehur qartësisht se liria, barazia dhe vëllazëria janë të pacënueshme për të”, tha ai.

Analisti Artur Zheji vlerësoi simbolikën e përfaqësimit shqiptar në Paris, duke shtuar se ai do të kishte qenë më i plotë nëse në të do të merrte pjesë edhe kreu i opozitës.

“Ajo që pamë ishte një kartolinë përfaqësuese e asaj që është Shqipëria. Komuniteti Mysliman edhe më shumë se sa partitë e ka bërë detyrën në atë që e ka përshkruajtur Pashko Vasa, që feja e shqiptarit është shqiptaria në kuptimin që askush në emër të Zotit nuk mund të marrë një jetë. Është normale që kjo gjë është pozitive dhe nuk kishte pse të mos e kishte vendin e vet në mozaikun e asaj dite”, tha ai.

Për Skënder Minxhozin simbolika qe e plotë.

“Simbolika shpalosëm në Paris dhe në prani të mbi 45 krerëve të politikës botërore qe e plotë. Shpalosëm vlerën tonë më të qendrueshme në histori, bashkëjetesën paqësore mes besimeve të ndryshme”, tha ai.

Ambasadori francez solli disa detaje nga ajo ditë, kur tha se parakalimi i katër përfaqësuesve fetarë shqiptarë u duartrokit, vlerësua por ngjalli edhe kureshtje. “Më është dashur t’u them se kjo është Shqipëria”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Rektori i Universitetit Beder, Ferdinand Gjana tha se asnjë jetë nuk mund të merret në emër të fesë, aq më tepër islamit, që ai tha se është fe e paqes, ndërsa radhiti edhe tre elementë që sipas tij prodhojnë fanatizëm.

“Këto akte terroriste nuk mund të bazohen në asnjë besim. S’kanë lidhje me thelbin e islamit dhe bie në kundërshtim të plotë me vlerat që besimet promovojnë. Nëse do thonim arsyet unë do t’i përmbledh në tre: e para është injoranca, e dyta varfëria dhe e treta fanatizmi fetar. Këto prodhojnë një fondamentalizëm që prodhon terrorizëm”, tha ai.

Emisioni Fiks Fare bën pjesë tek emisionet satirike në Shqipëri që ka denoncuar dhe vazhdon të denoncojë fenomentet negative të shoqërisë, aktualitetit dhe politikës shqiptare.

Nga studio e Fiksit, moderatorja Albana Osmani foli shkurtimisht mbi përjetimin e ngjarjes së Parisit.

“Më ka prekur kjo ngjarje personalisht në tre dimensione. Së pari në Fiks Fare dhe si moderatore e këtij programi satirik, tek e dyta tek të qenurit piktore dhe në fëmijëri jam marrë me karikatura dhe së treti të qenurit besimtare”, deklaroi ajo.

Megjithë terrorin e mbjellë në zemër të Europës, për analistin Skënder Minxhozi, në planin gazetaresk dhe mediatik, sulmi nuk ka ndryshuar asgjë, përkundrazi.

Pjesën e dytë emisionit iu bashkua Bujar Kapexhiu, karikaturist i njohur shqiptar. Ai tha se në profesionin e tij është munduar të gjejë gjithmonë një ekuilibër që mesazhi që synon të përçojë të mos ofendojë njeri dhe kritikës. Ai tha se revista franceze kishte provokuar, duke qenë se karikaturat ndalohen prej islamit, por sërish shtoi se ky provokim nuk justifikon asesi masakrën.

Ferdinand Gjana dha një këndvështrim më përgjithësues të situatës, duke u ndalur tek ‘përballja’ mes Lindjes dhe Perëndimit. “Ka dy sfida, e para është për Europën e bashkuar dhe a do të vazhdojë ajo në këtë rrugë? Nëse do të vazhdojë këtë rrugë do të fitojë këtë betëjë dhe sfida e dytë është për botën islame që të gjejë thelbin e saj dhe të bashkëjetojë me fetë e tjera, një sfidë tepër e vështirë, pasi nuk është e shtrirë vetëm në një rajon, por në një pjesë të madhe të botës”, tha ai.

Ekstremizmi në trojet shqiptare

Më shumë se në Shqipëri, ndikimi i ekstremizmit fetar është prezent në Kosovë, ku shpesh janë përdhosur edhe figura dhe simbole kombëtare, si buste të Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe Nënë Terezës.

Për të folur për këtë në pjesën e tretë iu bashkuan gazetarët Artan Haraçija dhe Visar Duriqi, dy gazetarë që kanë denoncuar rrymat ekstremiste në Kosovë. Haraçija tha se është helmuar brezi i ri dhe kjo shikohet edhe tek mosha e atyre që janë nisur për të luftuar me organizatat terroriste në Siri.

Ndërkohë, Visar Duriqi, gazetar dhe imam tha se ekstremistët kanë lidhje me politikanë dhe me parti të caktuara politike.

“Për çudi ka bashkëpunim mes një partie politike që nuk duhet të kishte, Vetëvendosjes me këto rryma radikale. Sa herë që rrymat radikale sulmohen, Vetëvendosje i merr në mbrojtje dhe sa herë sulmohet Vetëvendosje, rrymat radikale dalin në mbrojtje”, tha ai.

Dy gazetarët thanë se nuk janë dy zërat e vetëm kundër këtyre rrymave, duke shtuar se ka edhe shumë të tjerë, por që u mungon organizimi në reagimet publike.

Top Channel