Marshimi i Unitetit në Paris, pendohet SHBA

13/01/2015 00:00

Administrata e presidentit të SHBA, Barak Obama pranoi se ka gabuar duke mos dërguar asnjë përfaqësues të lartë në Marshimin e Unitetit të ditët së diel në Paris.

“Mendoj se është e drejtë të thuhet se Shtetet e Bashkuara duhet të kishin dërguar dikë me një profil më të lartë në Paris”, tha sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.

Ai shtoi se Presidenti Obama do të merrte pjesë në këtë marshim nëse rrethanat do të kishin qenë ndryshe. “Planifikimi filloi mbrëmjen e së premtes, 36 orë para se të fillonte marshimi dhe kjo nuk ishte e mjaftueshme për organizimin e sigurisë që nevojitet për një vizitë presidenciale”, tha Earnest.

Shtetet e Bashkuara nuk ishin pothuajse fare të pranishme në marshimin historik të unitetit në Paris, ndërsa të premten Obama iu tha francezëve: Shtetet e Bashkuara janë me ju sot, Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju nesër.

Mes liderëve botërorë që shtrënguan krahët në shenjë solidariteti në radhën e parë të tubimit, mungoi shefi i Shtëpisë së Bardhë Obama, zëvendëspresidenti Joe Biden e nuk pati as ndonjë drejtues tjetër të lartë të administratës.

Kryeprokurori i Përgjithshëm Eric Holder, ndonëse ndodhej në kryeqytetin francez për samitin kundër terrorizmit, nuk u pa gjëkundi në marshimin ku Kryeministri Benjamin Netaniahu e Presidenti palestinez Mahmud Abaz lanë mënjanë mosmarrëveshjet për t’u shfaqur pranë njëri-tjetrit. Të njëjtën gjë bënë dhe kreu i shtetit ukrainas,Petro Poroshenko e ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Top Channel