Londër, 27 mijë shoferë autobusësh në grevë

13/01/2015 00:00

Rreth 27 mijë shoferë autobusësh në Londër do të zhvillojnë një grevë 24-orëshe ditën e martë, e cila pritet të shkaktojë kaos në udhëtim për miliona qytetarë në kryeqytetin anglez.

“TfL”, organ i pushtetit lokal, përgjegjës për sistemin e transportit në Londër, lëshoi një email të hënën pasdite duke konfirmuar grevën dhe duke vënë në dukje problemet e mëdha me të cilat do të hasen udhëtarët gjatë ditës së martë.

Greva është parashikuar të fillojë në orën 04:00 të ditës së martë dhe do të zgjasë deri në orët e para të ditës së mërkurë.

Shoferët e autobusëve do të zhvillojnë këtë greve në lidhje me pagat e tyre, pasi nuk kanë një normë kolektive, por në varësi të operatorëve që veprojnë.

“Operatorët e autobusëve duhet të ndalojnë pabarazinë e pagave dhe së bashku të fillojnë bisedimet për një marrëveshje të drejtë për punëtorët e autobusëve të Londrës. Kjo grevë është e detyruar pas refuzimeve të bëra nga operatorët për bisedime”, tha Wayne King, një zyrtar rajonal në Londër.

Top Channel