Nëse celulari dhe interneti zbehën letrat apo kartolinat e dikurshme, sot mund të flitet për një tjetër luftë që interneti i ka shpallur komunikimit.

Mesazhet virtuale kanë krijuar një zhargon që nuk e respekton aspak të folurën dhe të shkruarën e shqipes zyrtare. Kjo problematikë vihet re më së shumti tek të rinjtë që kanë nisur prej kohësh të ndërtojnë një gjuhë misterioze.

Disa prej tyre e bëjnë për të fituar kohë, disa të tjerë sepse e shohin si një lojë argëtuese shkurtimin e fjalëve apo të tjerë sepse detyrohen nga karakteret e lejuara në një mesazh të vetëm.

Fjalët e të parëve tanë, si “Faleminderit, të lutem, apo shprehjet më mungon shumë dhe të kam xhan” janë zëvendësuar sot me flm, ok, tlt, mmsh, apo tkxh. Shenjat e pikësimit nuk përdoren më për rolin e tyre, por ato shërbejnë thjesht për të vizatuar fytyra të qeshura, të ngrysura apo të inatosura që dërgohen në varësi të gjendjeve emocionale. Kanë lindur po kaq disa formula të reja, të cilat numrat dhe fjalët i bëjnë bashkë duke e shkurtuar fjalën në maksimum: fjalët vërtetë apo tregim nuk shkruhen më siç dëgjohen, por vër8 dhe 3gim.

Në një kohë kur të rinjtë e njohin më së miri këtë fjalor që përdoret mes tyre, nga ana tjetër janë prindërit apo gjyshërit që tregojnë se nuk i kuptojnë aspak kodet e fëmijëve. Por, a duhet t’i pranojmë këto forma të reja apo t’i shmangim plotësisht?

I ftuar në “Wake Up”, gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj ka thënë se kjo nuk është një dukuri e re mes të rinjve, madje edhe më herët grupe të ndryshme shoqërore apo breza kanë pasur kodet e tyre. “Më problematike çështja bëhet kur shqipja deformohet në të shkruarën zyrtare apo në media, ndaj duhet bërë kujdes në këtë drejtim”,-  ka thënë Shkurtaj.

Top Channel