Francë, 6 celula terroriste ende në qarkullim

13/01/2015 00:00

6 celula terroriste islamike mund të jenë ende në qarkullim dhe të gatshme të sulmojnë Francën në çdo moment. Paralajmërimet e policisë mbrëmjen e së hënës erdhën pak pas vendimit të qeverisë për të dislokuar 10.000 trupa shtesë në rrugët e Parisit, si dhe pohimit të kryeministrit Manuel Valls, i cili tha: “Jemi në luftë!”

Sipas Valls, nuk ka dyshim që ekzistojnë bashkëpunëtorë të sulmeve të përgjakshme të javës që shkoi në kryeqytetin francez. Shërbimet e sigurisë në të dy krahët e La Manshit e pranojnë se gjasat e sulmeve të tjera terroriste janë shumë të larta. Një prej të dyshuarve në Francë është parë të ngasë një Mini Cooper, makinë e regjistruar në emrin e Hayat Boumeddiene, partnerja e Amedy Coulibaly-së së vrarë nga policia të premten pas ekzekutimit të një oficereje dhe katër pengjeve në supermarketin hebraik.

Mendohet se 26-vjeçarja ka ndihmuar në organizimin e masakrave në Paris. Edhe pse pas episodeve të dhunës, në Francë ajo të kërkohej me qiri, Boumedienne ishte larguar drejt Sirisë që në 2 janar e tani duhet të jetë pikërisht atje, në krah luftëtarëve të ISIS-it. Kamerat e sigurisë e regjistruan vajzën në një aeroport të Stambollit, ku nuk ishte vetëm, por e shoqëruar prej një tjetër qytetari francez, 23-vjeçari Mahdi Sabri Belhoucine.

Autoritetet turke justifikohen duke thënë se nuk kishin marrë asnjë informacion apo paralajmërim nga kolegët francezë, ndaj kanë vulosur pasaportën e 26-vjeçares dhe e kanë lënë të kalojë. Në sfidë të hapur ndaj rrezikut, revista satirike e shënjestruar prej miqve të bashkëshortit të saj, vëllezërve Kaouchi, do të nxjerrë të mërkurën numrin e radhës dhe në faqe të parë, ‘Charlie Hebdo’ do të ketë një tjetër karikaturë të profetit Muhamed.

Profeti shihet aty duke mbajtur një pankartë me shkrimin e kthyer në simbol të solidaritetit në Francë “Je Suis Charlie”, ndërsa figura do të shoqërohet me diçiturën “janë falur të gjitha”.

Top Channel