Italia pro zgjerimit të BE, Renzi: S’bëjmë dot pa Shqipërinë, Serbinë e Malin e Zi

13/01/2015 00:00

Parlamenti Europian analizoi punën 6 mujore të presidencës italiane,
ndërkohë që nga 1 janari 2015, Letonia drejton për herë të parë
Bashkimin Europian në gjysmën e parë të vitit.

Kryeministri italian, Matteo Renzi, tregoi në plenaren e Strasburgut detyrat që i janë përcjellë presidencës së re, ndërsa u kujtoi eurodeputetëve se e drejta për t’i zgjedhur ata me votë të drejtpërdrejtë lindi 40 vite më parë, gjatë presidencës italiane në atë kohë.

“40 vjetë më parë Letonia, jo vetëm nuk bënte pjesë në Europën e Bashkuar, por kishte një histori krejt të ndryshme. Sot dëshmojmë se Europa është në gjëndje të ndryshojë. Por duhet të mbajmë parasysh se ky ndryshim duhet të na bëjë të rishikojmë nga njëra anë politikën e fqinjësisë, me një tjetër mënyrë, dhe kjo është ajo çfarë i lëmë parasëgjithash presidencës së re. Politika e fqinjësisë do të thotë kujdes i ndryshëm për mesdheun, do të thotë kujdes i ndryshëm për zgjerimin e Bashkimit Europian, sepse ne nuk mund të bëjmë dot pa Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, dhe as nuk mund të lejojmë që ky diskutim mbi zgjerimin të kapet e përkedhelet nga frika. Sigurisht, i takon dhe raporteve Rusi-Ukrainë, që ishte tema më delikate e këtij semestri e druaj se do të vijojë të jetë edhe në këtë stinë që po kalojmë. Armiku egziston. Është ideologjia dhe fanatizmi. Por, rreziku ynë më I madh nuk është se nuk e shohim armikun. Është tek mendimi se frika mund të na ndalojë, të na bëjë të palëvishëm, të na bllokojë. Kemi arritur të themi dhe se fjala “identitet” është e kundërta e fjalës “integrim”. E kundërta e indentitetit, është anonimi. E kundërta e integrimit, është çintegrimi, ndarja, është shkatërrimi”, tha Renzi.

Presidenca italiane vlerësohet për mbylljen e debatit mbi disiplinën fiskale, zhvillimin dhe investimet, duke i hapur rrugën planit të Komisionit prej 315 miliard euro, që miratoi në Dhjetor samiti europian. Por, ajo kritikohet për mungesën e legjislacionit të duhur europian mbi emigracionin, telekomunikacionin dhe papunësinë e lartë në BE.

“Kam veç një zhgënjim me presidencën italiane dhe do të jem i sinqertë me ju. Paketa për Telekomin nuk u mbyll. Të flasim drejtë, se të gjithë po flasin këtu për investime, botën dixhitale, google. Na duhet të reagojmë e ne nuk jemi në gjëndje sot, në 2015, të bëjmë një marrëveshje me vendet anëtare për tregun dixhital, heqjen e tarifës roaming, për instalimin e neutralitetit të pastër”, tha Guy Verhofstadt, President i ALDE.

“Ju ishit mjaft i zënë për t’u treguar italianëve të bëjnë kujdes. Na vjen keq që ka papunësi të madhe në Bashkimin Europian dhe nuk është bërë sa duhet. Edhe në Itali mund të shkarkosh më lehtë njerëzit nga puna dhe nuk e lufton më lehtë se më parë evazionin fiscal”, u shpreh eurodeputeti Italian Curzio Maltese.

 “Besoj, në përfundim, se ai ndryshim që po sjell Komisioni Junker, duhej të ishte imagjinuar në 6 vitet e fundit dhe jo 6 muajt e fundit. Nëse ne do jemi një klasë dirigjentësh, liderë e burra të aftë për të drejtuar institucionet, sfida jonë e sotme është të kthejmë Europën për të bërë fiks punën e saj, për një europë më afër popullit, e gjithnjë e me më pak burokraci”, tha Renzi.

 Europa mbetet një superfuqi vlerash, por jo ekonomike, sipas kryeministrit Renzi, i cili vlerësoi se BE nuk duhet të jetë e fundit, por duhet të drejtojë fenomenin e ndryshimeve botërore me theks tek “rritja, investimet dhe inovacioni”. 

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel