Hije trukimi për Skënderbeun, dyshohet te miqësorja ndaj Den Hagës

13/01/2015 00:00

Mediat holandeze kanë publikuar ditën e djeshme një lajm sipas të cilit flitet për dyshimet që kanë hasur në lidhje me ndeshjet miqësore të klubeve të kampionatit holandez, të cilat ndodhen në Spanjë për fazën përgatitore. Mes ndeshjeve të përmendura, ato kanë hedhur dyshimin në takimin mes Den Hagës dhe Skënderbeut, ndeshje kjo e zhvilluar më 7 janar, e cila ka përfunduar me rezultatin 2-0.

Ata i referohen një kompanie që merret me Sigurinë e Sportit ndërkombëtar dhe sipas kësaj kompanie, për këtë ndeshje ka dyshime për fiksim rezultati. Për një gjë të tillë kanë reaguar si klubi holandez ashtu edhe përfaqësues të Skëndërbeut, të cilët janë shprehur të befasuar nga ky lajm, pasi ky takim, sipas tyre, nuk ka patur as dyshimin më të vogël.

Gjithsesi, mediat holandeze jo vetëm kanë theksuar fluksin e lëvizjeve në baste për këtë ndeshje gjatë 90 minutave, por kanë shtuar se shpesh këto ndeshje miqësore që zhvillohen në faza të tilla përdoren për trukime.

Skëndërbeu është skuadra e vetme shqiptare që po zhvillon fazën përgatitore në Spanjë dhe ka zhvilluar disa ndeshje të rëndësishme miqësore, të cilat i ka humbur: 5-0 me Klyb Bryzh, 2-0 ndaj Den Hagës dhe 4-0 ndaj Ostendes.

Nesër, Skëndërbeu do të luajë miqësoren e fundit të programuar ndaj Frajburgut.

Top Channel