Franca e Izraeli përcjellin viktimat e terrorizmit, Hollande për policët: Dhanë jetën, që ne të jetojmë të lirë

13/01/2015 00:00

Ceremoni mortore po zhvillohen në Paris dhe Jeruzalem për shtatë prej viktimave të sulmeve të javës së kaluar në kryeqytetin francez. Katër të vrarët në supermarketin hebraik do të varrosen në Izrael, ndërsa në shërbesën e mbajtur në zemër të Parisit, Presidenti Francois Hollande nderoi 3 oficerët e policisë që humbën jetën në krye të detyrës.

“E gjithë Franca ndan sot keqardhjen e dhimbjen. Clarissa, Franck e Ahmedi vdiqën që ne të jetojmë në liri. Ata përfaqësojnë shumëllojshmërinë e origjinës brenda forcave tona të rendit. Marrëzia nuk ka fe, ka vetëm fytyrën e urrejtjes, një urrejtje për gjithë çfarë Franca përfaqëson”, tha Hollande.

Tre policëve Franck Brinsolaro, Ahmed Merabet and Clarissa Jean-Philippe iu dha pas vdekjes titulli më i lartë i Francës, “Legjioni i Nderit”.

Tre ditët e terrorit të javës së kaluar nisën të mërkurën, më 7 janar, me mësymjen e zyrave të revistës satirike “Charlie Hebdo”. 17 persona në total u vranë nga agresorët islamikë, përfshirë edhe disa gazetarë.

Katër viktimat e sulmit në supermarket, Yoav Hattab, Philippe Braham, Yohan Cohen dhe Francois-Michel Saada, do të prehen në varrezën “Har HaMenuhot”.

Trupat e tyre mbërriten sot me avion në aeroportin e Ben Gurionit, pranë Tel Avivit. Në mesin e pjesëmarrësve, në funeralet që zhvillohen në Jeruzalem, ishte dhe kryeministri izraelit Benjamin Netaniahu.

Ngjarjet e dhunshme të përpara pak ditëve në Francë tronditen komunitetin hebraik 500.000 anëtarësh të vendit, i cili është dhe më i madhi në Europë, e nxitën thirrjet e Netaniahut për të gjithë hebrenjtë në kontinentin e vjetër, që të emigrojnë drejt Izraelit për vetë sigurinë e tyre, në mesin e valës në rritje të antisemitizmit.

Top Channel