Ukrainë, raketë autobusit me civilë, 10 të vdekur. Shpërthime në aeroportin e Donetskut

13/01/2015 00:00

Një shpërthim ka përfshirë një autobus në lindje të Ukrainës, duke vrarë
të paktën 10 civilë dhe plagosur shumë të tjerë. Lajmin e bën të ditur
ushtaria ukrainase.

Në një deklaratë të saj thuhet se ngjarja është verifikuar pranë një pike kontrolli të trupave qeveritare në lokalitetin Buhas, rreth 35 km në jug-perëndim të Donetskut, bastion i rebelëve.

Autoritetet rajonale të këtij qyteti, të cilat i përgjigjen qeverisë së Kievit, deklarojnë se kanë qenë rebelët ata që kanë hedhur mjetin shpërthyes tek pika e kontrollit.

Një informacion i ardhur ndërkohë nga burime të tjera sugjeron se autobusi po transportonte civilë nga qyteti bregdetar i Mariupolit.

Vyacheslav Abroskin, drejtues i ministrisë rajonale të brendshme në Donetsk, tha se bëhet fjalë për një raketë të qëlluar nga një zonë pranë qytetit Volnovakha, por që ka dalë nga kursi.

“Raketa u qëllua posaçërisht për të goditur autobusin interurban. Ngjarja po hetohet, ndërkohë që rruga mes Donetskut dhe Mariupolit është mbyllur”, deklaroi Abroskin.

Ndërkohë, në komunikatën e saj ushtria ukrainase shton se, mendohet që raketa të jetë qëlluar nga një raketahedhës i shumëfishtë i llojit “Grad”. Nga ana tjetër, agjencia ruse e lajmeve “Tass” citoi krerë të rebelëve që mohonin përfshirjen e tyre në këtë sulm.

Më herët gjatë së martës, shpërthime të fuqishme dhe të shtëna artilierish u dëgjuan në aeroportin e Donestkut, pavarësisht përpjekjeve për të negociuar dhënien fund të luftimeve.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare, të vendosur në afërsi të zonës së aeroportit strategjik, raportuan për re të zeza tymi që ngriheshin prej andej.

Sipas korrespondentëve, pjesa dërrmuese e kullës shumëkatëshe të aeroportit, e konsideruar si simbol i rezistencës anti-ruse, tashmë është shkatërruar.

Pas natës së kaluar, kur përdorën raketahedhës të tipit “Grad”, mëngjesin e sotëm separatistët qëlluan ndaj terminalit të ri të aeroportit me tanke. “Ushtria ruse dhe terroristët kanë zgjedhur taktikat e përshkallëzimit të tensioneve”, deklaroi zëdhënësi i ushtrisë, Andriy Lysenko.

Në një prononcim për mediat, ai saktësoi se nga luftimet e orëve të natës një ushtar ukrainas kishte mbetur i vrarë dhe 10 të tjerë të plagosur.

Luftimet në lindje të Ukrainës janë intensifikuar së fundmi, pavarësisht marrëveshjes për armëpushim të arritur në shtator, në raundin e radhës të negociatave në Minsk.

Top Channel