Rikthehen specializimet në mjekësi, fituesit të detyruar të punojnë 3 vjet aty ku emërohen

13/01/2015 00:00

Pas 4 vitesh ndërprerjeje nisin specializimet në mjekësi. Procesi i konkurrimit sapo ka përfunduar dhe 380 kandidatët fitues do të vijojnë studimet sipas degëve të preferuara.

Ndonëse vitet e mëparshme ky proces ka qenë i përfolur për afera korruptive, sot dekania e Fakultetit të Mjekësisë garanton një proces mëse transparent.

“Sa i përket organizimit, mendoj se ka qenë një nga proceset më transparente ndonjëherë dhe testimi është bërë në një mënyrë krejtësisht të informatizuar, krejtësisht anonime, teksa pyetjet kanë dalë në momentin që kandidati është ulur për t’u testuar dhe nga ky testim është përfituar shumica e pikëve. Pikët e tjera që janë marrë nga ky konkurs vijnë nga mesatarja e ponderuar, sepse detyrë e Fakultetit të Mjekësisë është që të nxjerrë mjekë sa më të aftë për të marrë në duar jetët e njerëzve”, u shpreh Prof. Dr. Mira Rakacolli.

Kandidatët fitues do të lidhin kontratat me Ministrinë e Shëndetësisë, pasi të dyja palët kanë detyrime ndaj njëra-tjetrës. Në bazë të kësaj kontrate, Ministria e Shëndetësisë garanton arsimimin dhe kualifikimin e mjekut, por nga ana tjetër mjeku në specializim – pas studimeve – është i detyruar të shkojë të punojë për tre vjet, atje ku do të emërohet nga Ministria.

Kjo, sipas ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, do të ndihmojë për të mbushur boshllëkun e krijuar nga mungesa e mjekëve të specializuar në rrethe. Por, për mosrespektim të kësaj kontrate, ka penalizime deri në kthimin 5-fish të pagës, që mjeku ka marrë gjatë specializimit.

“Për tre vjet do të vazhdojnë të punojnë në vendin me të cilin kanë lidhur kontratën, e nëse e shkelin këtë periudhë do të kenë një detyrim financiar prej 2 milionë lekësh dhe e kanë të pamundur për 5 vitet e ardhshme, nga ky moment, të fillojnë punë në një institucion publik shëndetësor. Është një detyrim që besoj se në vitet e ardhshme do të na ndihmojë të plotësojmë boshllëqe që janë krijuar, por edhe të krijojmë vijimësi në kujdesin shëndetësor”, deklaroi ministri Ilir Beqaj.

Lidhur me debatin e hapur së fundmi, mbi testimin e mjekëve dhe infermierëve, ministri i Shëndetësisë ka deklaruar se askush nuk rrezikon vendin e punës nga testimi.

“Dua të konfirmoj se testimi nuk është për të larguar njeri nga puna. Ndërkohë që ne themi se s’kemi mjekë, si mund të na shkojë në mendje që të largojmë mjekë nga puna? Ne vetëm duam që të dimë se ku jemi sot me dijet e tyre dhe t’i përditësojmë. Kam një përgjigje për ata që thonë nëse ka apo jo përvoja të tjera, po iua lë juve ta shqyrtoni, por kjo është një përvojë amerikane. Ka edhe përvoja të tjera të vlefshme, ku periodikisht vlerësohen njohuritë, me qëllimin kryesor për t’i përmirësuar ato”, u shpreh më tej ministri i Shëndetësisë, Beqaj.

PD kundër testimit të mjekëve
“Është gjueti shtrigash, do të përdoret politikisht për emërimet e reja”

“Ky testim është i paligjshëm, diskriminues e korruptiv, sepse mjekët dhe infermierët do të vlerësohen nga Edi Rama. Kjo është thjesht një ‘gjueti shtrigash’ për të larguar disa e për të futur në sistem militantët e tij. Vlerësimi i mjekëve dhe infermierëve është i rregulluar sipas Urdhrit të Mjekut dhe Infermierit, si dhe procesit të edukimit në vazhdim. Partia Demokratike e konsideron të papranueshëm këtë testim, e i nxit mjekët dhe infermierët të kundërshtojnë këtë akt tallës, fyes e njëkohësisht të paligjshëm”, u shpreh në reagimin nga selia blu, deputetja Albina Deda.

Top Channel