Jabllanoviç nuk kërkon falje

13/01/2015 00:00

Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviç ka deklaruar se nuk i është referuar nënave të të zhdukurve në Gjakovë kur deklaroi se “disa egërsira” qëlluan me gurë autobusin me serbë që po tentonte të hynte në Gjakovë për Krishtlindjet Ortodokse.

Jabllanoviç ka thënë gjatë një interviste për KTV se kur ka reaguar ka pasur informacione që ata që kanë hedhur gurë ishin aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje.

Lideri i Listës Serbe, i cili jeton në veri të Kosovës, është përpjekur të arsyetojë deklaratat e tij provokuese duke thënë se nuk ka njohuri nëse në Kosovë ka pasur masakra gjatë luftës në vitet 1998-1999.

Jabllanoviç ka thënë se ai ka qenë vetëm një adoleshent në kohën e luftës dhe se në vendlindjen e tij, në Leposaviç, nuk ka pasur luftë.

Ministri ka shtuar se kryeministri Mustafa asnjëherë nuk e ka thirrur për ta pyetur për deklaratën e tij, ndërsa ka theksuar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen e as të ndalë referimin “Kosovë dhe Metohi” për vendin në qeverinë e të cilit punon.

Top Channel